Nga Redaksia:
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, grup-mosha mbi 65 vjeç në raport me popullsinë në moshë pune (15-64 vjeç) ka pësuar rritje rekord në vetëm një dekadë, duke e vendosur vendin tonë në krye të Europës për këtë fenomen.
Në vitin 2015, të moshuarit përbënin rreth 18.2% të forcës së punës në Shqipëri, një shifër relativisht e ulët në krahasim me vendet e Bashkimit Europian si Italia apo Gjermania. Por deri në vitin 2025, ky raport ka shkuar në 33.3%, një rritje dramatike prej 15.1 pikë përqindjeje – më e larta në kontinent.
Shqipëria mban vendin e parë në Europë për rritjen më të shpejtë të popullsisë mbi 65 vjeç në raport me popullsinë aktive, duke lënë pas edhe vende si Moldavia dhe Maqedonia e Veriut, të cilat kanë shënuar rritje përkatësisht 14.1 dhe 10.7 pikë përqindjeje.
Plakja e popullsisë shfaqet edhe në rritjen e moshës mediane. Në vitin 2015, mosha mediane ishte 34.7 vjeç, ndërsa në 2025 ajo ka arritur në 44.3 vjeç. Një rritje prej 9.6 vite brenda vetëm një dekade, ritmi më i lartë në Europë, ndërkohë që mesatarja europiane gjatë së njëjtës periudhë ishte vetëm 2.1 vite.
Ky zhvillim i shpejtë tregon se Shqipëria nuk po kalon thjesht një proces natyror plakjeje, por një krizë demografike që kërkon reagim urgjent.
Shkaku kryesor i këtij fenomeni është kombinimi i emigrimit masiv të të rinjve dhe rrënies së lindshmërisë. Ndryshe nga vendet e zhvilluara si Suedia apo Luksemburgu, ku plakja e popullsisë ndodh gradualisht dhe mund të menaxhohet ekonomikisht, Shqipëria po përballet me plakje të shpejtë pa burimet e nevojshme për t’i mbështetur të moshuarit.
Në vetëm një dekadë, Shqipëria është zhvendosur nga vendi i “të rinjve të Europës” në një vend ku përqindja e të moshuarve është e barabartë me fuqitë e vjetra europiane, por me shumë më pak kapacitet ekonomik dhe social për të përballuar këtë sfidë.
Nëse nuk ndërmerren masa urgjente për të stimuluar lindshmërinë dhe për të ndaluar ikjen e të rinjve, Shqipëria do të përballet me një krizë të thellë sociale dhe ekonomike. Ky fenomen nuk është thjesht statistika – është një paralajmërim se vendi po kthehet gradualisht në një azil të madh për të moshuarit, duke rrezikuar stabilitetin e së ardhmes.
