Tiranë – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh publikisht se Parlamenti nuk ka asnjë ngut për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të pandehur për tendera miliona euro.
Kjo kërkesë është depozituar në Kuvend që më 16 dhjetor 2025, por Rama, si zakonisht, duket se preferon të bllokojë drejtësinë, duke e vonuar procesin që mund të çojë në përgjegjësi ligjore.
Në një përgjigje për News24, Ambasada amerikane thekson se pavarësia e institucioneve të drejtësisë është thelbësore për bashkëpunimin mes dy vendeve:
“Pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri mbetet thelbësore për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit ndërkombëtar”.
Megjithatë, Ambasada shmang çdo koment direkt për çështjen Balluku, duke e konsideruar atë nën hetim.
Edhe Brukseli nuk i shpëton kritikës indirekte ndaj vonesës së kryeministrit:
“Është përgjegjësi e Parlamentit të Shqipërisë që të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie thelbësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, gjë që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj”.
Qartazi, SHBA dhe Bashkimi Europian kanë që nga fillimi mbështetur Reformën në Drejtësi, ngritjen e institucioneve të reja, dhe veçanërisht punën e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Por ndërsa drejtësia tenton të ecë përpara, Rama vazhdon të bllokojë procesin, duke mbrojtur individët e tij politikë dhe duke dërguar mesazhin se korrupsioni në krye të shtetit mund të mbetet i paprekur.
Shqiptarët mbeten të shqetësuar: a do të jetë ky një shembull ku drejtësia dorëzohet përballë pushtetit politik, apo fundi i vonesave do të vijë me një SPAK të paanshëm që nuk do të frenohet nga politika?
