Nga Redaksia:
Avokati Altin Goxhaj ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas nisjes së një procesi gjyqësor ndaj aktivistit Andrea Bregu, ku kërkohen deri në 3 vite burg dhe rreth 30 milionë lekë të vjetra gjobë, për akuza që lidhen me deklarata publike dhe qëndrime aktiviste.
Sipas Goxhajt, paditë janë ngritur nga organizata dhe individë që ai i cilëson si “mercenarë të Soros dhe axhendës LGBTQ”, ndërsa thekson se në argumentimin juridik është përmendur Neni 55, i cili – sipas tij – i ngjan drejtpërdrejt nenit famëkeq për “Agjitacion dhe Propagandë” të diktaturës komuniste.
Më poshtë mund të lexoni:
“Mos u habisni nëse po rikthehen metodat e vjetra të ndëshkimit të fjalës së lirë. Kjo nuk është drejtësi, është presion politik dhe ideologjik”, shkruan Goxhaj.
Ai shprehet i bindur se Andrea Bregu do ta fitojë çështjen në çdo shkallë gjyqësore, por paralajmëron se tashmë tre persona janë nën presion gjyqësor për të njëjtën kauzë:
- Aktivisti Andrea Bregu
- Trajnerja e fitnesit Dorina Mema
- Avokati Altin Goxhaj
Sipas tij, mesazhi i përbashkët i të treve mbetet i pandryshuar:
“Larg duart nga fëmijët e Shqipërisë!”
Avokati Goxhaj rikujton gjithashtu se Andrea Bregu ka qenë ndër të parët që në vitin 2021 artikuloi publikisht kundërshtimin ndaj vaksinimit të detyruar të fëmijëve, një qëndrim që ka ngjallur reagime të forta dhe përplasje të vazhdueshme me organizata të shoqërisë civile.
Ai e mbyll reagimin me një deklaratë sfiduese, duke theksuar se kjo betejë, sipas tij, nuk ka të bëjë me individë, por me lirinë e shprehjes, mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtën për të kundërshtuar axhenda ideologjike pa u kriminalizuar.
