ANALIZA: Kur t’i çojnë “Politikanët” shqiptarë fëmijët e tyre ushtarë, atëherë t’i çojnë edhe shqiptarët …

Nga Remi Ilir Kushi:

Në Shqipëri kërkohet gjithmonë gjak nga të varfrit dhe heshtje nga populli.
Kur vjen puna për “atdheun”, “sigurinë”, “detyrimin kombëtar”, thirrja nuk shkon kurrë te vilat, bankat offshore dhe pasuritë marramendëse të elitës politike. Ajo shkon te familjet e zakonshme, te fëmijët e fukarenjve, te ata që nuk kanë as mbrojtje, as pushtet, as media.

Djali i Sali Berishës, djali i Edi Ramës, djali i Gramoz Ruçit, djemtë e Aleksandër Meksit, fëmijët e Fatos Nanos, fëmijët e Ilir Metës dhe të gjithë edepsëzve të politikës shqiptare janë milionerë dhe miliarderë.
Asnjë prej tyre nuk do të luftonte për Shqipërinë.
Asnjë nuk do të shkelte në baltë, asnjë nuk do të flinte në llogore, asnjë nuk do të jepte jetën.

Dhe pikërisht këta kërkojnë sot ushtarë.

Arkivat britanike dhe e vërteta që nuk thuhet

Në arkivat britanike kam lexuar për gjyshin tim.
Jo në libra historie shqiptare. Jo në muze. Jo në tekste shkollore.
Atje është e shkruar e vërteta.

Pas Luftës së Dytë Botërore, rreziku i formimit të një qeverie komuniste në Greqi alarmoi misionet britanike në Athinë dhe qeverinë e Londrës. Si rezultat i ndërhyrjes britanike, më 12 shkurt 1945 u nënshkrua Marrëveshja e Varkizës midis EAM-it dhe EDES-it.

Sipas kësaj marrëveshjeje:

  • ELAS-i u çarmatos
  • kontrolli ushtarak i Greqisë iu dorëzua qeverisë kuislinge të Ralisit
  • dhe u vulos fati tragjik i popullsisë shqiptare çame

EDES-i, forcë nacionaliste dhe antikomuniste, kishte një vijë të qartë antiçame dhe antishqiptare.
Në mars 1945, forcat zerviste, të mbështetura nga britanikët, krijuan formacionin paramilitar “Rojat Kombëtare”, me mision të qartë:
shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga Çamëria.

Më 5 mars 1945, rreth 200 ushtarë zervistë, të veshur dhe armatosur me pajisje britanike, zbarkuan nga Korfuzi në Sajadhë. Filati, Shkalla dhe Spatari u rrethuan. Masakrat rifilluan.

Më 8 mars u vra Selam (Selman) Izeti nga Spatari.
Eliminimi i gjyshit tim ishte prioritet për britanikët dhe zervistët, për të shuar çdo rezistencë shqiptare.
Babai im mbeti jetim. Uria dhe mbijetesa u bënë realiteti i tij.

Hipokrizia pas vitit 1991

Në vitin 1991 u riformua shoqata “Çamëria”, më pas u krijua edhe një parti çame, e cila shumë shpejt u shndërrua në strehë interesash, pazare dhe prostitucion politik.

U përdorën fletërrufe, shpifje, letra anonime.
U tentua baltosja e figurave dhe e kauzës.
Jo për të mbrojtur çamët, por për t’i kontrolluar.

Banorët e Rrogozhinës më ftuan për promovim libri. Nuk u kam asnjë borxh — përkundrazi, u jam mirënjohës për fisnikërinë e tyre ndaj çamëve.

Ndërkohë, Fondacioni “Çamëria”, i drejtuar nga nipa e mbesa të bashkëpunëtorëve të Zervës, heshtin dhe sabotojne.

Çamët nuk janë krahinë – janë komb

Çamët nuk janë një minoritet lokal.
Çamët nuk janë një krahinë.
Çamët janë shqiptarë.

Çështja çame nuk është çështje periferike — është fenomen kombëtar, plagë e hapur e kombit shqiptar.

Ushtarë për kë?

Pirro Vengu kërkon ushtarë.
Kërkon djemtë e kujt?
Të kujt po u kërkohet jeta?

U bëj thirrje shqiptarëve:
Mos i dërgoni fëmijët tuaj, nëse fëmijët e politikanëve shqiptarë nuk regjistrohen të parët.

Atdheu duhet të jetë strehë e përbashkët, jo fushë ku vriten fëmijët e fukarenjve që të pasurohet një elitë e kalbur.

Lufta për liri nuk bëhet vetëm kundër armikut të jashtëm, por edhe kundër armiqve të brendshëm, shpesh më të egër se pushtuesit.

Jeta e fëmijëve tuaj vlen më shumë se banditët e veshur me pushtet.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *