Avokati dhe aktivisti i njohur Altin Goxhaj, një nga zërat më të drejtpërdrejtë dhe më të pakompromis të opozitarizmit real në Shqipëri, shpërthen me një deklaratë të fortë politike dhe morale.
Në një reagim publik që hedh dritë mbi prapaskenat e opozitës shqiptare, Goxhaj shpjegon pse nuk do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga Partia Demokratike, duke e cilësuar atë si një fasadë të kontrolluar nga njerëz të lidhur me Sorosin, larg çdo ideje për opozitë reale dhe shpëtim kombëtar.
Duke iu rikthyer Frontit të Shpëtimit Kombëtar dhe protestës historike të 7 Korrikut 2022, Goxhaj rrëfen se si shansi i vetëm real për të rrëzuar regjimin u sabotua jo nga Rama, por nga frika, pazaret dhe tradhtia brenda opozitës.
Postimi i avokatit Altin Goxhaj:
Nesër nuk do të jem në tryezën e thirrur nga Lelua i Soros… desha të them Sali Berisha! (Për më shumë më ndiqni sot në 19:30 – MARATONË LIVE në Tru Pod Albania, i ftuar i Shpend Gashi, si çdo të Enjte)
Nesër PD, sipas medias, ka thirrur një tryezë për një “front të përbashkët opozitar”, dhe sot mësoj se me organizimin dhe ftesat qenka marrë Lelua i Soros 😊 Ftesa ime ndoshta ka humbur rrugës për shkak të shirave dhe përmbytjeve 😊
Natyrisht që nuk është ftuar askush nga Aleanca Konservatore për Shqipërinë, por më mirë kështu! Kur sheh se për krijimin e këtij “fronti” është caktuar të merret Lelua i Soros, kupton edhe se çfarë do pjellë.
3 vjet e gjysmë më parë, kur i propozova Berishës dhe mora përsipër të isha kreu i grupit të punës për Frontin e Shpëtimit Kombëtar, që u kurorëzua me protestën më të madhe në dekada më 7 Korrik 2022, patëm sukses sepse dinim çfarë po bënim, pse dhe me kë.
Bashkuam të gjithë zërat dhe aktivistët e pakapur nga Soros dhe krijuam një pritshmëri të jashtëzakonshme për të mundur Veliajn një vit më vonë. Asnjëherë më parë nuk ishte parë një tryezë si ajo e 23 Qershorit 2022: ajka e aktivizmit opozitar, qytetarë realë, njerëz të lirë!
Në Korrik – muaj kur kurrë nuk ishin organizuar protesta masive që nga 1991 – Tirana mbushi Bulevardin deri te Skënderbeu.
E vetmja gjë që nuk e kuptonim atëherë ishte kjo: më shumë u tremb kasta e PD-së sesa Rama dhe PS-ja.
Pas 7 Korrikut 2022, PD dhe Berisha bënë gjithçka për ta reduktuar Frontin në një fasadë partie, pa qëllim fitoreje, vetëm për të ruajtur pushtetin e brendshëm dhe për të bërë pazare të rëndomta.
U tërhoqëm dhe ua lamë si kujtim fotografitë e 7 Korrikut 2022, për t’i futur në muze me mbishkrimin:
“Na ishte një herë PD, dita kur pati shansin e fundit për të krijuar një opozitë reale – dhe e shiti për pazare me Soros dhe Ramën.”
Nesër, në atë tryezë, do të ketë vetëm një fasadë tjetër boshe. Sepse s’ka mbetur më askush që t’i besojë.
Unë nuk isha naiv në Qershor 2022. E dija që shansi ishte 50 me 50. Por oferta për Frontin ishte SHANSI I FUNDIT për Shqipërinë. Dhe ja vlente, edhe sikur vetëm 1%.
MOS E HARRONI: MË 7 KORRIK 2022 NE TREGUAM SE SHQIPËRIA MUND TË SHPËTOHEJ!
Ramën nuk e mban në pushtet forca e tij, por tradhtia e opozitës së shitur. Kjo është arsyeja pse u divorcova me PD-në në 2022.
Mund të kisha pritur radhën për lista, mandate dhe rehati personale. Por do isha bërë një nga ata që sot janë në Parlament: bashkëfajtorë në vrasjen e Shqipërisë. Një “derr i kënaqur”.