Nga Redi Minga:
Pas rënies së regjimit komunist, shqiptarët ëndërruan liri, drejtësi dhe një jetë më të mirë. U premtua një demokraci që do të shërbente popullin dhe do të ngrinte meritokracinë mbi influencën dhe lidhjet. Por 35 vite më vonë, realiteti është i hidhur: demokracia u përdor si instrument jo për të shërbyer popullin, por për ta manipuluar atë.
Politikanët shqiptarë nuk u matën me vizion, integritet apo sakrificë. Ata u matën me aftësinë për të mashtruar, për të bërë spektakël dhe për të përdorur karizmatin për të fituar pushtetin. Të ndershmit humbën përballë mashtruesve, të disiplinuarit humbën përballë atyre që dinin të bëjnë shfaqje, dhe të mençurit humbën përballë atyre që dinin të manipulonin opinionin publik.
Demokracia nuk zgjedh kurrë liderin më të mirë. Ajo zgjedh mashtruesin më të aftë. Historia shqiptare e këtyre dekadave e tregon qartë: ai që di të fitojë, shpesh nuk është më i mençuri, as më i ndershmi, as më i përgatituri – por është ai që di të fitojë votën duke manipuluar masën.
Filozofi i madh Platoni paralajmëronte:
“Ndëshkimi më i madh për një njeri të mençur që refuzon të qeverisë, është të qeveriset nga dikush më inferior se ai.”
Kjo është realiteti i Shqipërisë së pas ’90-s: kur kompetentët tërhiqen, manipuluesit avancojnë. Kur e vërteta bëhet e kushtueshme, mashtrimi bëhet i vlefshëm. Kur popullariteti kthehet në autoritet, mashtrimi shndërrohet në strategji.
Demokracia shqiptare shpesh u shndërrua në teatër, ku fjalët dhe imazhi peshojnë më shumë se karakteri dhe veprat. Ajo prodhoi klasa politike që nuk mateshin me integritet kombëtar, por me klikime, sondazhe dhe duartrokitje të manipuluara.
Populli shqiptar mësoi të paguajë çmimin e mashtrimit: herë me shpresa të tradhtuara, herë me vendime që favorizuan interesat e pakicës së pushtetshme. Në këto 35 vite, demokracia nuk u bë mjet i popullit – u bë mjet i atyre që dinë të fitojnë pa merituar.
Nëse shoqëria shqiptare nuk rikthen respektin për dijen, karakterin dhe përgjegjësinë kombëtare, kjo demokraci do të vazhdojë të prodhojë liderë të fortë në fjalë, por të dobët në moral; të zhurmshëm në retorikë, por bosh në vizion. Dhe dështimi nuk do të jetë aksident – por përfundim logjik i një sistemi që shpërblen mashtrimin dhe ndëshkon integritetin.
Sepse pushteti nuk boshatiset kurrë. Nëse nuk e marrin më të mirët, ai gjithmonë i bie më të zhdërvjellëtit në mashtrim.
