Nga Redaksia:
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier ka zgjedhur të dalë si “rojtari moral” i botës, duke sulmuar politikën e jashtme të SHBA-së nën drejtimin e Donald Trump, të cilën e akuzon se po e çon rendin botëror drejt një “strofulle hajdutësh”.
Por ironia është therëse: Gjermania që ai përfaqëson, është shembulli klasik i një shteti që ka minuar vetë rendin, sigurinë dhe demokracinë e brendshme.
Ndërsa Steinmeier flet për rrezikun global, realiteti brenda Gjermanisë është alarmant. Krimi është në rritje të ndjeshme, veçanërisht pas rritjes së numrit të të dyshuarve me prejardhje jogjermane.
Të dhënat zyrtare tregojnë se kriminaliteti u rrit me 5.5% vetëm vitin e kaluar, ndërsa numri i të dyshuarve me prejardhje të huaj u rrit me 13.5% – shifra që flasin vetë për pasojat e një politike emigracioni të pakontrolluar dhe ideologjike.
Në qytete si Berlin, Hamburg, Frankfurt apo Këln, qytetarët e zakonshëm nuk ndihen më të sigurt. Demokracia nuk po kërcënohet nga Donald Trump, por nga dështimi i shtetit për të garantuar rend, ligj dhe siguri për popullin e vet.
Zona të tëra janë kthyer në territore problematike, ku autoriteti i shtetit është i dobët dhe frika është reale.
Në të njëjtën kohë, elita politike gjermane – përfshirë Steinmeier – përpiqet të shmangë një tjetër realitet të pakëndshëm: rritjen e konsiderueshme të partisë së djathtës ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Por AfD nuk u rrit rastësisht. Ajo u rrit sepse miliona gjermanë ndihen të tradhtuar nga politikat e emigracionit masiv, pasiguria dhe heshtja e elitave. Në vend që të adresohen shkaqet, fajin kërkohet ta mbajnë të tjerët – këtë herë, SHBA-të dhe Trumpi.
Steinmeier flet për “pika kthese historike” si Krimea dhe Ukraina, por harron të përmendë pikën e kthesës që vetë Gjermania krijoi, kur sakrifikoi sovranitetin, identitetin dhe rendin shoqëror në emër të një globalizmi të dështuar dhe një multikulturalizmi që po shembet para syve të të gjithëve.
“Mos ta lejojmë botën të shndërrohet në një strofull hajdutësh”, thotë Steinmeier.
Por pyetja është e thjeshtë: a nuk u shndërruan fillimisht disa qytete gjermane në zona ku ligji dhe rendi janë relativizuar?
Sulmet ndaj Donald Trump duken më shumë si një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga dështimet e brendshme. Trump u zgjodh pikërisht sepse mbrojti kufijtë, shtetin kombëtar dhe interesin e qytetarëve amerikanë, ndërsa elitat evropiane zgjodhën të shpërbëjnë shtetin në emër të “vlerave globale”.
Në fund, kjo retorikë e Steinmeier nuk është alarm për demokracinë globale, por justifikim për dështimin e modelit gjerman dhe evropian.
Një model që humbi kontrollin mbi vendin e vet dhe tani kërkon fajtorë jashtë.
Ironia është e pamohueshme:
Gjermania që nuk arriti të mbrojë sigurinë dhe rendin e vet, sot mban leksione për shpëtimin e botës.
