OPINION: Maduro dhe Rama – dy kontinente, një mendësi …

Nga Nesti Angoni:

Një sqarim i domosdoshëm për ata shqiptarë që ende bien pre e propagandës:
Të përsërisësh sot deklaratat e Nicolás Maduro-s se “Amerika nuk lufton drogën, por kërkon të vjedhë naftën e Venezuelës”, nuk është opinion – është injorancë politike. Në Shtetet e Bashkuara, Maduro nuk trajtohet si “lider anti-imperialist”, por si kërcënim për sigurinë kombëtare amerikane, i akuzuar për lidhje me kartele droge, financim kriminal dhe destabilizim rajonal. Ky është fakt juridik dhe politik, jo narrativë televizive nga Caracas. Kush ende flet me fjalorin e Maduro-s, ose nuk e kupton realitetin, ose zgjedh me vetëdije të shërbejë si megafon propagande.

Në dukje i ndan oqeani, ideologjia dhe historia. Në thelb i bashkon e njëjta mendësi autoritare: pushteti që nuk duron llogaridhënie. Nicolás Maduro në Venezuelë dhe Edi Rama në Shqipëri janë dy versione të së njëjtës sëmundje politike – kontroll absolut mbi narrativën dhe luftë permanente kundër çdo zëri kritik.

Njëri mbyll kanale televizive sepse i shembet miti i “revolucionit bolivarian”. Tjetri shpik rregulla, ndalime dhe ligje emergjente sepse i prishet imazhi i “liderit të suksesshëm”. Njëri sheh grusht shteti pas çdo kamere. Tjetri sheh krim, destabilizim dhe “armiq të reformës” pas çdo kritike. Armiku është gjithmonë abstrakt. Justifikimi gjithmonë gati.

Maduro sundon përmes krizës së përhershme. Inflacion shkatërrues, emigrim biblik, mungesë ushqimi, mungesë energjie – por fjalime pa fund për sovranitetin dhe imperializmin armik. Rama sundon përmes spektaklit të përhershëm. Evente, slogane boshe, instalacione artistike dhe konferenca propagande – por transparencë minimale dhe përgjegjësi zero.
Në Caracas mungon buka.
Në Tiranë mungon llogaridhënia.
Në të dyja rastet, fajin e ka populli që “nuk kupton vizionin”.

Kur Maduro humb kontrollin mbi realitetin, e shpall sabotim imperialist. Kur Rama humb kontrollin mbi rrëfimin, ndryshon ligjin, rregullin ose fjalorin. Njëri fshihet pas hijes së Chávez-it. Tjetri pas estetikes së liderit modern, global dhe “cool”. Por thelbi është identik: frikë patologjike nga kritika reale.

Zgjedhjet për ta nuk janë garë, por procedurë. Institucionet nuk janë kontroll, por dekor. Parlamenti nuk është pushtet, por sallë duartrokitjesh. Drejtësia nuk është e verbër, por selektive. Mediat janë “të lira” vetëm kur heshtin. Demokracia tolerohet vetëm kur prodhon rezultatin e paracaktuar nga pushteti.

Maduro flet për popullin ndërsa populli ikën nga vendi. Rama flet për të ardhmen ndërsa e tashmja zbrazet. Njëri qeveris me varfëri brutale, tjetri me sukses të paketuar për konsum mediatik. Mekanizmi është i njëjtë: centralizim pushteti, kult personaliteti dhe justifikim i përhershëm i dështimeve.

Ndryshojnë flamujt, ndryshon klima, ndryshon gjuha. Modeli mbetet i njëjtë. Udhëheqësi që flet vetëm, e quan veten vizionar dhe shpall popullin fajtor që nuk e kupton vizionin. Dhe kur duartrokitjet nuk mjaftojnë, problemi nuk është pushteti. Problemi, sipas tyre, është populli që nuk duartroket sa duhet.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *