SPAK godet zemrën e Oligarkisë: Dosja e Bashkim Ulaj hyn në fazën kritike …

Nga Redaksia:

Dosja e SPAK ndaj biznesmenit Bashkim Ulaj ka hyrë në një fazë vendimtare. Burimet konfirmojnë se pritet marrja e tij si i pandehur, në një zhvillim që shënon një përballje direkte mes drejtësisë dhe sistemit të koncesioneve që ka dominuar ekonominë shqiptare për më shumë se një dekadë. Kontrollet e kryera me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO janë sinjali se hetimi nuk është më formal, por ka hyrë në thelbin e skemës.

Prej vitesh, Bashkim Ulaj është bërë emri simbol i grabitjes së shtetit, përmes koncesioneve të fryra, tenderëve të garantuar dhe kontratave që nuk shërbejnë për zhvillim, por për pasurim të pakufizuar privat. Ky është modeli që ka rrënuar financat publike: politikanët firmosin, oligarkët pasurohen, qytetarët paguajnë.

Aksi Thumanë–Kashar nuk është thjesht një projekt i dështuar. Është krimi financiar më i madh i dekadës. Nga 245 milionë euro, kontrata u shndërrua në 1.307 miliardë euro për 35 vite, mbi një rrugë që ekzistonte.

Tarifat e ndaluara u bënë ligj, afatet u shtynë në mënyrë skandaloze dhe fitimi u garantua pa risk. Shqipëria do ta paguajë këtë rrugë tre herë, ndërsa oligarku numëron miliardat. Kjo nuk është paaftësi. Kjo është skemë e ndërtuar me vetëdije.

Skandale si “DH Albania”, kompanitë fantazmë, dokumentet e dyshuara si të falsifikuara dhe tenderët e fituar me mashtrime tregojnë se sistemi ka funksionuar si një linjë prodhimi për vjedhjen e parasë publike.

Kompania 4 A-M, e lidhur me Ulajn, ka përfituar qindra milionë euro, ndërsa institucionet kanë heshtur, kanë firmosur ose kanë mbyllur sytë. Sepse ky sistem nuk mbijeton pa mbrojtje politike.

Marrja e Bashkim Ulajt si i pandehur nuk është një akt i zakonshëm. Është kërcënim direkt për gjithë arkitekturën e koncesioneve të qeverisë Rama. Çdo hap i mëtejshëm çon te ministrat, te vendimet e Këshillit të Ministrave, te firmat që kanë shndërruar shtetin në bankomat oligarkësh. Prandaj kjo dosje është vonuar. Prandaj ka pasur presion. Prandaj ka pasur heshtje. Sepse një oligark i prekur rrëzon gjithë skemën.

Tani nuk ka më alibi. SPAK ka hyrë në territorin e ndaluar dhe duhet të shkojë deri në fund. Çdo tërheqje do të ishte tradhti ndaj interesit publik. Çdo selektivitet do të ishte bashkëfajësi.

Ndërkohë, Shqipëria vazhdon të paguajë: për rrugë që nuk i duheshin, për kontrata që nuk i deshi, për oligarkë që nuk njohin kufi dhe për një shtet që për vite me radhë është përdorur si plaçkë private.

Me marrjen e Bashkim Ulajt si i pandehur, lojës i hiqet maska. Tani pyetja është vetëm një:

A do ta çmontojë SPAK të gjithë mekanizmin e grabitjes, apo do të ndalet sërish para pushtetit?

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *