Nga Redi Minga:
Dikur, nga foltorja e Parlamentit, Edi Rama hodhi një fjali që sot tingëllon më shumë si paralajmërim sesa si retorikë politike: “S’keni parë gjë akoma.”
Në atë kohë, shumë shqiptarë buzëqeshën. Disa e morën si mburrje. Të tjerë si batutë artisti. Sot, pas vitesh qeverisje, fjalia nuk duket më as shaka, as lapsus – por program.
Edi Rama nuk erdhi rastësisht. Ai nuk është një politikan “i zakonshëm”, por një figurë e ndërtuar me kujdes: pak kloun, pak ideolog, shumë propagandë. Një produkt politik i përgatitur për ditë të errëta, i aftë të shesë krizën si sukses dhe shkatërrimin si “vizion”.
Që nga dita kur u shfaq si ministër Kulture, Rama ishte në provë gjenerale. Jo për artin, jo për sportin, por për pushtetin. Për marrjen e drejtimit të asaj që dikur quhej Parti Socialiste e sot njihet më shumë si Rilindje, një strukturë ku ideologjia është zëvendësuar nga bindja verbale dhe ku vendimet nuk merren për shqiptarët, por mbi shqiptarët.
Ndërkohë, Shqipëria është kthyer në një plaçkë lufte moderne:
– koncesione pa fund,
– pasuri publike të falura,
– territore ekonomike të dorëzuara,
– dhe gjithçka e paketuar me fjalë të bukura, slogane dhe selfie.
Ironia më e madhe? Shqiptarët.
Një pjesë në gjumë të thellë, një pjesë e tredhur politikisht, dhe pjesa tjetër që pret… SHBA-në. Sikur shpëtimi i Shqipërisë të vijë me ambasador, jo me reagim qytetar. Sikur demokracia të importohet si ndihmë humanitare.
Në këtë teatër absurd, Rama luan rolin e regjizorit, Berisha rolin e aktorit të vjetër që s’iku kurrë nga skena, ndërsa shqiptarët janë publiku që paguan biletën dhe rri duartroket edhe kur cirku digjet.
E vërteta është e thjeshtë dhe e hidhur:
Shqiptarët nuk kanë parë ende gjithçka, jo sepse Rama ka plane sekrete, por sepse mungon reagimi. Sepse një popull që fle, qeveriset pa rezistencë. Dhe një popull që pret shpëtimtarë nga jashtë, e ka dorëzuar sovranitetin pa luftë.
“S’keni parë gjë akoma” nuk ishte kërcënim. Ishte diagnozë.
