Nga Redaksia:
Në zemrën e Brukselit, aty ku burokratët e Bashkimit Europian predikojnë moral dhe “standarde”, ka shpërthyer një nga skandalet më të rëndë të viteve të fundit. Federica Mogherini, ish-kryediplomatja e BE-së dhe një nga figurat më të njohura të establishmentit europian, është NDALUAR nga policia belge si pjesë e një hetimi penal tronditës.
Lajmi u raportua nga gazeta belge Le Soir, duke shokuar opinionin publik ndërkombëtar dhe duke lënë BE-në në një heshtje nervoze.
Kontrolle dhe arrestime në institucione kyçe të BE-së
Sot, Prokuroria Evropiane ndërmori një seri kontrollesh intensive në:
Selinë e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) në Bruksel
Disa ndërtesa të Kolegjit të Europës në Bruges
Nga operacioni janë ndaluar tre persona, përfshirë vetë Mogherinin, e cila aktualisht drejton Kolegjit e Europës – një institucion elitë për formimin e diplomatëve të BE-së.
Ky zhvillim është i paprecedentë dhe dërgon një sinjal të qartë: korrupsioni ka depërtuar deri në majën e piramidës europiane.
Akuza të rënda: mashtrim, korrupsion, konflikt interesi
Hetimi lidhet me mënyrën se si EEAS i dha Kolegjit të Europës një program trajnimi nëntëmujor për diplomatët e ardhshëm të BE-së gjatë viteve 2021–2022.
Sipas Prokurorisë Evropiane, akuzat e mundshme përfshijnë:
- Mashtrim në dhënien e kontratave publike
- Korrupsion
- Konflikt interesi
- Shkelje të sekretit profesional
- Konkurrencë të padrejtë dhe favorizim të qëllimshëm
Me pak fjalë: një skemë tipike korrupsioni e mbuluar me buzëqeshjet dhe konferencat për shtyp të eurokratëve.
BE predikon moral për Shqipërinë, ndërsa vetë mbytet në korrupsion
Kjo goditje ekspozon hipokrizinë e institucioneve të Brukselit, të cilat për vite me radhë i kanë dhënë leksione moraliteti Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit.
Në realitet, korrupsioni që ata kritikojnë tek të tjerët është thuajse asgjë krahasuar me skandalet që shpërthejnë brenda vetë sistemit të tyre.
Mogherini, që dikur u shfaqte udhëheqësve të Ballkanit si figura e disiplinës dhe “vlerave europiane”, sot është në qendër të një dosjeje që rrezikon të zbulojë rrjete të tëra interesash, parash dhe influence të paligjshme në nivelet më të larta të BE-së.
PatriotikMedia.al do të ndjekë zhvillimet minutë pas minute
Në orët dhe ditët në vijim, hetimet pritet të zgjerohen. Nuk përjashtohet që zyrtarë të tjerë të BE-së, drejtues akademikë dhe figura të lidhura me rrjetet e tenderëve europianë të përfshihen në hetim.
Ky është një skandal që mund të shkundë themelet e politikës së jashtme europiane dhe të ekspozojë fytyrën e vërtetë të një sistemi që prej vitesh është i kalbur nga brenda.
