Nga Redaksia:
Berlin – Debati për rikthimin e shërbimit ushtarak në Gjermani ka hyrë në fazën vendimtare. Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD) ka deklaruar se pret që çështja të zgjidhet këtë javë, ndërsa opozita dhe ekspertët mbeten të ndarë për mënyrën e zbatimit.
Sipas propozimit të ri, të rinjtë gjermanë do të detyrohen të regjistrohen, por jo të gjithë do të thirren për shërbim aktiv. Meshkujt do të kenë detyrimin të plotësojnë formularin për regjistrim, ndërsa femrat mund të regjistrohen në mënyrë vullnetare. Pas kësaj, shteti do të përzgjedhë nga lista e regjistruar për nevojat e ushtrisë.
Qëllimi i Ministrisë së Mbrojtjes është që Bundeswehr-i të rritet nga 182 mijë ushtarë aktualisht në 260 mijë, dhe të ketë 200 mijë rezervistë të gatshëm për çdo rast emergjence.
Por entuziazmi i të rinjve është minimal. Sipas sondazheve të fundit të publikuara nga ZDF dhe Der Spiegel, shumica e të rinjve nuk janë të gatshëm të shërbejnë, dhe e shohin këtë masë si një kthim pas në kohë.
“Ne nuk duam të na detyrojnë të bëhemi ushtarë. Gjermania duhet të investojë në paqe, jo në armatime”, – thonë shumë të rinj në protestat e mbajtura në Berlin dhe Hamburg.
Nga ana tjetër, Pistorius thotë se situata ndërkombëtare kërkon “përgatitje serioze” dhe se vendi nuk mund të mbetet i pambrojtur përballë kërcënimeve të reja.
Por edhe brenda koalicionit qeverisës ka përçarje: një pjesë e deputetëve të SPD-së e cilësojnë këtë nismë si “rekrutim të detyruar në heshtje”, që mund të shkaktojë pakënaqësi masive tek brezi i ri.
Eksperti i mbrojtjes i CDU-së, Thomas Röwekamp, paralajmëroi se modeli aktual “vullnetar por me detyrim regjistrimi” do të sjellë mungesë rekrutësh dhe do të detyrojë shtetin të kalojë në fazë detyrimi të plotë në vitet e ardhshme.
Realiteti është i qartë: në Gjermani mungon dëshira e të rinjve për uniformën ushtarake. Brezi i ri kërkon karrierë, liri dhe stabilitet, jo kazermë dhe disiplinë ushtarake.
Në fund të javës pritet që qeveria të publikojë versionin përfundimtar të reformës. Deri atëherë, pyetja mbetet e hapur:
A do të detyrohen të rinjtë gjermanë të marrin armët, apo do të fitojë zëri i rinisë që kërkon paqe?
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
