Nga Avokat Arben Llangozi:
Në çdo institucion, nga IMT-të e bashkive deri te zyrat e hipotekës, doganat dhe tenderat publikë, korrupsioni është shndërruar në mekanizëm funksionimi. Asnjë dokument nuk ecën pa “kafenë” nën dorë, asnjë leje ndërtimi nuk jepet pa përfitim personal, asnjë shërbim nuk ofrohet pa shkelur ligjin.
Në vend që të jenë në shërbim të qytetarit, këto institucione janë kthyer në zyra private për pasurimin e nëpunësve shtetërorë dhe mbajtjen gjallë të klientelës politike. Qytetari shqiptar ndjehet si i huaj në zyrën e shtetit të vet – kjo është fytyra më e hidhur e padrejtësisë moderne.
Institucionet shtetërore sot funksionojnë si struktura që nuk i shërbejnë më interesit publik, por interesave të ngushta të një rrjeti të mirëorganizuar klientelist. Pushteti, paratë dhe ndikimi ndërthuren për të ruajtur status quo-në e korrupsionit. Ato operojnë si një “krim i organizuar” me vulë shteti: me hierarki, me rregulla të pashkruara, me shpërndarje rolesh e përfitimesh, dhe mbi të gjitha – me heshtje të blerë.
Qytetari i ndershëm, që kërkon vetëm shërbim dhe drejtësi, përballet çdo ditë me arrogancën e zyrtarit, me vonesat e qëllimshme, me ryshfetin e maskuar dhe me padrejtësinë e bërë normë. Nga tenderat publikë te gjykatat, nga administrata te agjencitë që duhet të mbrojnë interesin publik, kudo vërehet i njëjti model: grabitja e pasurisë kombëtare në emër të ligjit.
Korrupsioni nuk është më rastësi; është sistem. Një sistem që ushqehet nga pandëshkueshmëria, nga frika dhe nga varfëria morale e atyre që kanë zënë pushtet. Shqipëria sot ka më shumë institucione se kurrë, por më pak drejtësi se ndonjëherë.
Dhe derisa shteti të rikthehet në duart e qytetarit, ky vend do të mbetet peng i atyre që e shohin pushtetin si mjet për të vjedhur – e jo për të shërbyer.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
