Çun Lajçi i Dardanisë: Dy jetë i fala për Shqipninë, e pak paskan kenë!

Nga Redaksia:

Çun Lajçi, aktori dhe poeti i madh i Dardanisë, mbetet një ndër zërat më të fuqishëm të kombit shqiptar. Me fjalën e tij të ndjerë e të thellë, ai rikujton rrënjët, nderin dhe sakrificën e brezave që dhanë gjithçka për Shqipninë.

Në shkrimin e tij të fundit, Lajçi na udhëheq përmes kujtesës së qyteteve tona historike – Prizrenit, Pejës, Gjakovës e Tropojës – duke e kthyer çdo hap në një betim për mosharresë dhe dashuri ndaj atdheut.
Një rrëfim poetik që prek shpirtin e çdo shqiptari.

Lexoni postimin e plotë të tij më poshtë:

Dy jetë i fala për Shqipninë, e pak paskan kenë!
E lash mbrapa Prizrenin. Ura e Gurit mbeti fletë e hapun e kujtesës sime. M’duhet mu kthye nji ditë e me shfletue fletorën e harresës!
Në harkun e parë të urës heshtake, e lash të strukun shpirtin e Imer Prizrenit.

Prit sa t’kthehem nga Shqipnia, – që të ngjitemi n’Kala, atje ku ende dëgjohen hapat e poetëve, hoxhallarëve e dervishlerëve të Lidhjes, asaj besatores shqiptare.
Mos u zgjo pa t’thirrë, i thashë, se kështu e kam lanë edhe Haxhi Zekën n’Mullinin e tij n’Pejë.

Bluej drith se na duhet buka si Lidhja e Pejës! – e mos u zgjo pa zbritë kaçakët e Rugovës, se rrënohet Ura e Gurit e Peja ndahet gjysa-gjysë nga lumi!
M’kishte marrë malli për Tropojën. Dojsha me zbritë n’Dragobi e me pi ujë Valbone, si kaçakët që dikur i përndiqte Kadri Mehmeti. Mall kisha me u ngjitë në Shepellën e Zharpit e me thirrë Sali Manin:
– Ma sjell nji bukë qerepi e nji pshere djath dhije, se nuk m’kthejnë kambët n’Rugovë!
Gjakovës po trupoja. Mbrapa meje kishin mbetë Peja e Prizreni. Gurët e kalldërmit n’çarshinë e vjetër po pëshpëritshin:
– Mos hip n’Urën e Tabakëve, se zgjohet Pashë Maxharri e gjuan me topa, ia thermon kullën Binak Alisë, përmbi Dri!

Në çast m’u kujtue kangja:

“Pashë Maxharri, mos gjuaj me topa, se nuk çarten këto kullat tona, plot me gjak pa u djergë Valbona”!
Çarshia m’i ndali hapat:
– Mos i zgjo mënitë e moçme – gjëmuen gurët – se zbresin malësorët e ia djegin kullat Abdullah Pashë Drenit, për besën e dhanë gabimisht!
– Ktheje mikun andej nga ka ardhë! S’ka besë me Maxharrin, mos e merr n’qafë vetën e t’birin! – kishin çue fjalë malësorët.

Lumi Krena përkundej n’hijet e veta, e n’heshtje gjëmonte:

– Mos kalo harqeve t’urës, se Sylejman Vokshi asht përbetue – dy jetë me i pasë, të dyat i jepi për Shqipninë!

Unë s’i ndëgjova pëshpëritjet e kalldërmit, as gjamët e harqeve. Si nji njeri që ka humbë rrugën, kalova mbi Urën e Tabakëve, tue shkelë mbi kujtesën e Gjakovës e tue ngjallë buçima:
– Largoje prej kullës Maxharrin! S’ka besë me pashallarë!
Kishte ra terri mbi Gjakovë – por jo terr i natës, terr i kujtesës ishte.
Nji plak rrinte ulë n’anë të urës, me nji dhi t’kuqe e me nji kec që thithte gjinin e nanës!
– I njef këta gurë, o bir? – më tha.
– Jo mirë, – i thashë. – Veç i ndiej, si nji kambanë që rreh diku thellë n’krahnuer.

Ai qeshi butë:

– Ajo kambanë asht Gjakova. Rreh sa herë dikush e kalon urën me shpirt, e jo me ngut! – tha, e keci blegeroi.

Pastaj heshti, si vetë ura. Lumi poshtë rridhte i qetë, tue bartë me vete hijet e harqeve – e m’u duk sikur po merrte drejt detit krejt kujtimet që s’kemi guxim me i mbajtë.
E ndjeva veten fajtor. Fajtor që ec e s’kujtoj mjaftueshëm. Fajtor që flas e s’di çka them. Fajtor i harresës!
Vonë zbrita n’Dragobi. N’Valbonë piva ujë. Te Shpella e Currit e thirra Sali Manin:
– Ura e Tabakëve s’ishte lodhë krejt, por ishte mërzitë nga harrimi.

Sylejman Vokshi t’ka çue selam:

– Dy jetë i fala për Shqipninë, e pak paskan kenë!

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *