Nga Redaksia:
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur sot në zemër të sistemit të “drejtësisë së rilindur” – në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Një person i armatosur ka hyrë brenda godinës dhe ka qëlluar për vdekje gjyqtarin Astrit Kalaja, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Pyetja e madhe është: si mund të hyjë një njeri i armatosur në gjykatë, në një vend ku qytetarët e zakonshëm kontrollohen deri te brezi për një celular? Apo ndoshta “siguria” funksionon ndryshe për ata që kanë për ta larë hesapin me drejtësinë e korruptuar?
Rilindja prej vitesh na ka premtuar “drejtësi të pavarur”, por ajo që po shohim është një drejtësi të frikësuar, të kapur dhe të rrezikshme për vetë veten. Gjykatat janë kthyer në skena krimi, prokurorët në lojtarë politikë, dhe policia – roje të fasadës socialiste.
Në vend që të vendoset ligji, po vendoset hakmarrja. Në vend që të kemi drejtësi, kemi shfaqje tragjike ku plumbat flasin më fort se ligji. Dhe ndërkohë që Rama flet për “shtet modern europian”, Shqipëria po i ngjan çdo ditë e më shumë Palermos së viteve ‘80 – me krimin që hyn e del kudo, dhe me një shtet që bën sikur nuk sheh.
Ky është rezultati i një “reforme në drejtësi” që u bë për të pastruar kundërshtarët, jo për të ndërtuar shtet.
Shqipëria po e humbet rendin, drejtësinë dhe sigurinë. Dhe ndërsa populli e sheh këtë realitet të dhimbshëm, Rilindja e quan “sukses europian”.
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.