ANALIZA: Pse Berisha i shmanget Tiranës? A po e dhuron sërish siç dhuroi Shqipërinë?…

Nga Redi Minga:

Sali Berisha, dikur simboli i opozitës dhe “lideri historik”, sot duket se po i shmanget betejës më të rëndësishme politike – asaj për Tiranën.
Por pse?
Pse Berisha, që dikur i printe protestave me flamur në dorë, sot fshihet pas fjalëve dhe justifikimeve?
Pse një njeri që e nisi “Rithemelimin” me premtime për ndryshim, sot nuk arrin dot të gjejë një kandidat për kryeqytetin?

A është i pafuqishëm, apo thjesht nuk dëshiron të përballet me realitetin?

A mos vallë Berisha po përgatitet t’ia dhurojë Tiranën Ramës, njësoj siç i dhuroi zgjedhjet e përgjithshme?
A mos kemi të bëjmë me pazare të heshtura politike, ku humbjet shiten si strategji dhe dështimet si fitore morale?
Pse një njeri që dikur frymëzonte miliona, sot ngjan më shumë si një dirigjent pa orkestër?

Kur nisi “Rithemelimin”, Berisha tha se do ndërtonte një Parti Konservatore – dhe menjëherë të gjithë u bënë konservatorë.
Pastaj tha se do krijonte një Parti të Djathtë – dhe konservatorët u zhdukën, u zëvendësuan nga “të djathtë të bindur”.
Më pas foli për qendrën e djathtë – dhe ata të njëjtët njerëz, pa asnjë parim, morën ngjyrën e radhës.
Tani, edhe pse termi “qendër e djathtë” është bërë relike, vazhdojnë ta përdorin, thua se po recitojnë ndonjë lutje politike.

Nëse nesër Berisha thotë “jemi liberalë”, të njëjtët njerëz do të shpallen liberalë pa e ditur ç’do të thotë fjala.
Sepse në këtë “Rithemelim”, nuk ka bindje, ka vetëm pagesa. Janë rrogëtarë të politikës, pa ndjenja, pa frymë, pa ideal.

Por akti më i rëndë është ky:

Të lësh Tiranën pa kandidat është si të shpallësh publikisht kapitullimin.
Është si t’i thuash elektoratit opozitar: “Mos prisni ndryshim, se unë s’kam më fuqi as dëshirë.”

A mund ta quajmë këtë një strategji, apo thjesht një dorëzim të heshtur ndaj Ramës?
A mund të vazhdojë Berisha të quhet “lider historik” kur po e humbet çdo ditë vlerën e asaj fjale?
Sepse një lider që nuk lufton për kryeqytetin, nuk lufton më për asgjë – veçse për hijen e vet.

Tirana nuk pret më premtime, pret burrëri!

Kryeqyteti nuk ka nevojë për fjalë boshe, as për justifikime politike.
Nëse Berisha nuk ka më kandidat, atëherë të paktën të ketë guximin ta pranojë dështimin, jo ta fshehë pas fjalëve.
Sepse historia nuk i mban mend ata që heshtin – por ata që luftojnë, edhe kur janë vetëm.

Dhe sot, Tirana është vetëm.
Jo sepse e la Rama, por sepse Berisha u tërhoq.

Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *