Nga Redaksia:
Sekretari amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr., ka dhënë një mesazh të fortë në Kombet e Bashkuara, ku deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesin politikat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që promovojnë abortin dhe ideologjinë radikale të gjinisë.
Duke folur në një takim të OKB-së për parandalimin dhe luftën kundër sëmundjeve kronike, Kennedy theksoi se SHBA do të refuzojë deklaratën e propozuar nga OKB, pasi ajo i tejkalon kompetencat e saj dhe shpërfill problemet më urgjente të shëndetit.
“Ne nuk mund të pranojmë një gjuhë që shtyn përpara një ideologji të rrezikshme gjinore. Nuk mund të pranojmë as pretendimet për një të drejtë kushtetuese apo ndërkombëtare për abortin,” tha Kennedy.
Ai theksoi se OBSH nuk ka më besueshmëri apo udhëheqje përderisa nuk ndërmerr reforma të thella. Sipas tij, dështimi i saj gjatë pandemisë së COVID-19 kushtoi me jetë të panumërta në mbarë botën.
Kennedy kritikoi ashpër edhe vetë procesin e OKB-së, duke e quajtur “politik dhe të mbushur me kontestime” – që nga taksat e deri tek mënyrat represive të menaxhimit të sëmundjeve nga organizmat ndërkombëtarë.
Ai deklaroi se SHBA nuk do të lejojë më që Kushtetuta dhe sovraniteti i saj të nënshtrohen ndaj burokratëve globalë të pa zgjedhur, pavarësisht justifikimeve me “gjuhë humanitare”.
Në një mesazh të veçantë në rrjetet sociale, Kennedy shtoi:
“Një politikë globale duhet të respektojë familjet, kulturat dhe komunitetet.”
“Gratë meritojnë dinjitet, siguri dhe hapësira vetëm për gratë.”
“Burokratët globalë nuk kanë asnjë të drejtë të cënojnë kombet që duan të mbrojnë jetën e të pafajshmëve.”
Ky qëndrim i Kennedy-t shihet si një pikë kthese në marrëdhëniet ndërkombëtare, pasi për herë të parë një sekretar i kabinetit amerikan ka refuzuar hapur jo vetëm një deklaratë të OKB-së, por edhe vetë premisën se ajo ka autoritet mbi kombet sovrane. /TheGuardian
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.