ANALIZA: Opozita në rolin e tapetit të kuq për mandatin e katërt të Rilindjes Sorosiane …

Nga Redi Minga:

Kur opozita vendos të mos luftojë, por të shërbejë si dekor në Kuvend, atëherë mandati i katërt i Rilindjes kalon pa asnjë pengesë. Ky nuk është triumfi i mazhorancës, por falimentimi i opozitës, që e la Shqipërinë në dorë të krimit, drogës dhe korrupsionit.

Po normal që do kalonte pa debat – se për çfarë duhen debatet kur opozita të shtron tapetin e kuq? Parlamenti i Shqipërisë, në një atmosferë pothuajse festive për mazhorancën, i dha Kryeministrit Edi Rama mandatin e katërt, duke i dhënë kështu vulën një realiteti që tashmë nuk i surprizon askënd.

Mediat ndërkombëtare, nga ana tjetër, nuk harruan ta vendosin lupën mbi “parajsën ballkanike” të korrupsionit, drogës dhe pastrimit të parave. Reuters shkruan qartë se Shqipëria është kthyer në epiqendrën e rrjeteve kriminale dhe se integrimi në BE në vitin 2030 është më shumë një slogan elektoral sesa një objektiv i prekshëm.

E ndërkohë që skandalet janë bërë zakon, Rama u kujdes të sjellë një “risi historike”: një ministre të krijuar nga inteligjenca artificiale, “Diella”. Sipas Ramës, kjo do të shpërndajë tenderë publikë me drejtësi dhe transparencë. Ironia është se edhe vetë inteligjenca artificiale u shfaq më realiste se politika shqiptare kur deklaroi: “Nuk kam shtetësi, nuk kam ambicie, nuk kam interesa.” Një profil ideal për të qeverisur Shqipërinë e krimit dhe të korrupsionit, apo jo?

Nga ana tjetër, opozita u kujtua të flasë vetëm pasi gjithçka mbaroi. Sali Berisha deklaroi se mandati është ngritur mbi krimin dhe drogën, por fjalët e tij nuk e penguan aspak procesin. Si gjithmonë, deklaratat mbeten për arkiv, ndërsa realiteti mbetet po ai: një qeverisje e konfirmuar pa debat, me 82 vota të sigurta dhe një shoqëri gjithnjë e më të zhgënjyer.

Në fund të fundit, për disa minuta, Rilindja konfirmoi pushtetin edhe për 4 vite të tjera. Tani, thjesht pritet që Kuvendi të votojë kodin penal të ri – që shqiptarët të ikin të gjithë me ligj, jo vetëm nga halli.

Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *