Nga Redaksia:
Shqiptarët janë mësuar tashmë të jenë kavie të eksperimentit më të gjatë politik në Europë. Filloi me “Reformën në Drejtësi”, të cilën Sorosi e paketoi si ilaç mrekullibërës kundër korrupsionit. U deshën vetëm pak vite që shqiptarët të kuptonin se “ilaçi” nuk shëronte, por paralizonte: drejtësia nuk u bë as më e pastër, as më e shpejtë, por thjesht më e bindur ndaj shefit të radhës. Në vend që të shohim barazi para ligjit, pamë një SPAK të përdorur si kamxhik politik, ndërsa të mëdhenjtë bëjnë jetë përrallore mes vilave e jahteve. Reforma u shndërrua në armë, dhe populli në publik të një shfaqjeje tragjikomike.
Por Edi Rama, mjeshtër i spektaklit dhe i shfaqjes së radhës, nuk mjaftohet me këtë. Jo, ai duhet të sjellë diçka “për herë të parë në botë”. Dhe ja ku na prezanton Diellën, ministren avatar të inteligjencës artificiale, që – sipas tij – do ta bëjë Shqipërinë “100% të pastër nga korrupsioni”. Nëse dje tenderat ndaheshin me telefonata nga zyrat e pushtetit, sot do ndahen me klikime nga një softuer. E vetmja gjë që ndryshon është justifikimi: “Nuk jam unë, është Diella!” Në vend të përgjegjësisë njerëzore, kemi fajin elektronik. Një kukull dixhitale e Ramës, e veshur si shpëtimtare.
Por spektakli nuk mbaron këtu. Rama po përgatit edhe një surprizë finale: Kodinin Penal të Ri. Dhe ky nuk është thjesht ligj – është çekiçi i fundit mbi kokën e shqiptarëve. Do të kriminalizohet fjala e lirë, protesta, mendimi ndryshe. Kush guxon të kundërshtojë, përfundon në pranga. Ndërsa ata që grabisin vendin me miliarda, do të kenë gjithmonë një “Diellë” që firmos për ta dhe një drejtësi të reformuar që i mbron.
Pra, nëse Reforma e Sorosit i shndërroi shqiptarët në spektatorë të drejtësisë së kapur, tani Diella i kthen në shikues të një reality-show dixhital. Dhe me Kodin Penal, loja mbyllet përfundimisht: nuk do të mbetet këmbë shqiptari që të guxojë të thotë “boll”.
Shqipëria nuk po qeveriset më, por po luhet si një lojë video. Dhe kur Rama thotë “Game Over”, nuk është për të – është për ne.
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.