Evropa po kthehet në “Polici të Mendimit” – Trump paralajmëron për censurën e burokratëve të BE-së …

Nga Redaksia:

Vetëm pak ditë më parë, Donald Trump lëshoi një paralajmërim të fortë kundër vendeve dhe organizatave që po imponojnë ligje dhe rregullore të reja për platformat dixhitale, duke i cilësuar ato si një kërcënim serioz për lirinë e fjalës dhe inovacionin. Trump deklaroi se nëse këto rregullime diskriminuese nuk tërhiqen, Shtetet e Bashkuara do të vendosin tarifa të rënda mbi eksportet e atyre vendeve.

Edhe pse nuk e përmendi drejtpërdrejt, mesazhi i Trump-it kishte një adresë të qartë: Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilët po përdorin legjislacionin e tyre për të shtrënguar lirinë e shprehjes nën maskën e “mbrojtjes së qytetarëve”.

DSA dhe DMA – mjetet e reja të censurës evropiane

Ligje si Akti i Shërbimeve Dixhitale (DSA) dhe Akti i Tregjeve Dixhitale (DMA) detyrojnë platformat gjigante si Google, Meta, X, TikTok dhe YouTube të zbatojnë rregullat e BE-së në mbarë botën, nën kërcënimin e gjobave marramendëse që shkojnë deri në 10% të xhiros së tyre globale. Këto ligje po përdoren si një shkop censure, duke imponuar standardet e Brukselit edhe mbi vendet ku fjalët dhe idetë janë të mbrojtura nga ligji.

Zyrtarja e BE-së, Henna Virkkunen, ka theksuar se pavarësisht paralajmërimeve të Trump-it, BE-ja nuk do të tërhiqet dhe do të zbatojë me forcë këto rregulla. Një mesazh i qartë se Brukseli kërkon të bëhet polici global i mendimit.

Kongresi Amerikan ngre alarmin: rrezikohet Amendamenti i Parë

Kryetari i Komitetit Gjyqësor, Jim Jordan, paralajmëroi se këto rregullore evropiane po krijojnë një “regjim global censure” që kërcënon drejtpërdrejt Amendamentin e Parë të Kushtetutës Amerikane. Në një seancë dëgjimore me titull “Kërcënimi i Evropës për Lirinë e Shprehjes dhe Inovacionin”, u dëgjua se burokratët evropianë po vendosin kush mund të flasë e kush duhet të heshtë, edhe përtej kufijve të tyre.

Nigel Farage paralajmëroi kongresmenët amerikanë se Britania, me Aktin e Sigurisë Online (OSA), po shndërrohet në një version perëndimor të Koresë së Veriut, ku policia arreston qytetarët për postime në internet. Rasti i komedianit irlandez Graham Linehan, i arrestuar për tre postime në Twitter ku kritikonte transgjinorizmin, është dëshmi e gjallë e këtij rrëshqitjeje drejt autoritarizmit.

Gjermania dhe “krimi i fyerjes”

Edhe Gjermania është kthyer në laboratorin e censurës. Me ligjin NetzDG, që nga viti 2017, çdo platformë duhet të heqë përmbajtjet “fyese” brenda 24 orëve ose përballet me gjoba deri në 56 milionë dollarë. Kohët e fundit, policia gjermane ka kryer bastisje masive ndaj qytetarëve vetëm pse kanë postuar karikatura ose komente të cilësuara “raciste”. Në Gjermani, është krim të fyesh dikë në internet. Ky është realiteti që Sorosi dhe burokratët duan të eksportojnë kudo.

Shqipëria në të njëjtën rrugë të rrezikshme

Për shqiptarët, kjo situatë nuk është e largët. Qeveria e Rilindjes, e lidhur drejtpërdrejt me rrjetet e Sorosit, po përdor të njëjtën logjikë kontrolli dhe censure. Nga portalet e kapura tek patronazhistët që spiunojnë qytetarët, modeli është i njëjtë: heshtje ose ndëshkim. Dhe ashtu si në BE, këto masa justifikohen me fjalë të bukura si “siguri” apo “mbrojtje e qytetarëve”, por në realitet synojnë të shuajnë çdo zë të lirë.

Rreziku global i Sorosit dhe Brukselit

Ajo që ndodh sot në Evropë, nesër do të shtrihet kudo. Një kontinent që dikur lartësonte lirinë e fjalës, po kthehet në një laborator të censurës dhe përndjekjes politike. Donald Trump dhe zëra të tjerë të lirë në Amerikë e kanë kuptuar rrezikun. Por a do të kuptojnë edhe shqiptarët se kjo qeveri e Sorosit në Tiranë nuk është veçse një kopje e zbehtë e modelit evropian të shtypjes?

Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *