Nga Redaksia:
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi këtë të mërkurë se mbetet i përkushtuar për të gjetur një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, pavarësisht pasigurisë nëse do të ketë një takim ballë për ballë mes Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelenskiy.
“E kam ndjekur, e kam parë dhe kam biseduar për këtë me presidentin Putin dhe presidentin Zelenskiy. Diçka do të ndodhë, por ata ende nuk janë gati. Por diçka do të ndodhë. Ne do ta arrijmë”, – u shpreh Trump në një intervistë telefonike për CBS News.
Trump bëri të ditur se ditët e ardhshme do të zhvillojë bisedime të tjera për luftën në Ukrainë, pas samitit që mbajti me Putinin në Alaska në gusht, i cili nuk solli ndonjë përparim të madh. Një burim nga Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Trump do të ketë një telefonatë me Zelenskiyn këtë të enjte.
Nga ana tjetër, Putin deklaroi se është i gatshëm të takohet me presidentin ukrainas nëse ai shkon në Moskë, por theksoi se çdo takim duhet të jetë mirë i përgatitur dhe të sjellë rezultate konkrete. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Ukrainës përjashtoi mundësinë që Moska të shërbejë si vend i bisedimeve.
- Trump shfaqi shqetësimin e tij për dhunën që vijon mes dy vendeve dhe përsëriti synimin për të shtyrë përpara një marrëveshje paqeje:
“Besoj se do ta zgjidhim gjithçka. Për të qenë i sinqertë, çështja e Rusisë mendova se do të ishte më e lehtë, por duket pak më e komplikuar se disa të tjera që kam ndalur”, – tha ai.
Ai gjithashtu foli për ceremoninë e zhvilluar në Kinë për përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, ku ishin të pranishëm Putin, presidenti kinez Xi Jinping dhe udhëheqësi koreano-verior Kim Jong Un.
“E kuptoj arsyen pse e bënë dhe prisnin që unë ta shihja, dhe unë po e shihja. Marrëdhëniet e mia me të gjithë ata janë shumë të mira. Do të shohim se sa të mira janë javën ose dy javët e ardhshme”, – theksoi Trump.
Presidenti amerikan pranoi zhgënjimin që nuk arriti të ndalonte luftimet që nga nisja e ofensivës ruse në shkurt 2022, por përsëri u zotua se do të gjendet një zgjidhje diplomatike:
“Do ta arrijmë”, – nguli këmbë ai.
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.