Nga Redi Minga:
Në Shqipërinë e sotme, ku pronat t’u shemben me fadromë e liritë t’i shkelin me çizme, shpëtimi nuk vjen më as nga revolta e as nga drejtësia. Jo! Ai vjen nga… një status në Facebook.
Në vendin ku pushteti të rreh e të rrjep, një pjesë e mirë e qytetarëve mendojnë se mjafton një “postim zemërplasës”, një “selfie me shkrim të gjatë”, e problemi zgjidhet vetvetiu. Sikur Rama, Balluku, apo mercenarët e uniformuar të kenë kohë të lexojnë statuse, e jo më t’u dhimbsen banorët e Thethit që mbrojnë shtëpitë dhe dinjitetin e tyre.
Shihni rastin e fundit në Theth: Një komunitet që proteston për tokën e vet, për trashëgiminë e vet, goditet brutalisht nga një komandë e dërguar prej partisë, ndërkohë që rrjetet sociale mbushen me postime si:
“Ky nuk është polici i popullit!”
“Do vijë dita e drejtësisë!”
“Mos harroni, Zoti sheh gjithçka!”
Ndiqni Videon:
Seriozisht? Kaq?
Madje ironia më e thellë është kur disa “analistë pa titull” i japin vetes misionin e çlirimit kombëtar me dy paragrafë në Facebook. Disa të tjerë shpikin teori konspirative për t’u ndjerë si “James Bond i rrjeteve sociale”. Të gjithë ankohen për sistemin, por harrojnë se kur hasmi të dhunon e ti bën selfie, nuk je më viktimë – je bashkëpunëtor i heshtur.
E pastaj vjen një tjetër “trill epokal”: të akuzosh shefin e policisë që në 2013-n u gradua me urdhër të një ministri “analfabet”, por të harrosh se vetë e përkrahët atë sistem, vetë u shitët për një leje ndërtimi, për një vend pune, për një tender, për një ndihmë ekonomike.
Atëherë, ç’tu thuash?
Ju që dikur “shtypët butonin e votës për Rilindjen” – sot po ju shtypet fjala, prona dhe dinjiteti. Dhe prapë – reagimi juaj është një status që nis me: “S’kam qejf të merrem me politikë, por…”
Po mirë, merre pushkën, jo tastierën!
Po mirë, mbroje tokën me këmbë, jo me “like”!
Po mirë, bëhu burrë, jo “opinionist anonim” që përfundon çdo fjalë me “shpresojmë në të ardhmen”…
Të nderuar qytetarë të rrjeteve, e vetmja gjë që po ndryshoni me këto statuse është algoritmi i Facebook-ut, jo Shqipëria!
Sepse kur shteti të dhunon me polici e ti proteston me… emoji zemër të thyer, atëherë ky vend është jo vetëm i humbur – por edhe i pamerituar për shumë nga ne.
Aty ku fjalët janë armë, por veprimi është dinjitet!
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.