Nga Redaksia:
Në një vend normal, shteti është në mbrojtje të pronës private. Në Shqipëri, ndodh e kundërta: Rilindja është kthyer në makineri grabitjeje, dhe objektivi i radhës është i qartë – çdo pronë private të kthehet në pronë shtetërore, për ta dhuruar më pas klientëve politikë të pushtetit me PPP dhe projekte të stisura “zhvillimi”.
Ndiqni videon:
Në thelb, kemi të bëjmë me një projekt ideologjik të një regjimi që urren lirinë, individualizmin dhe pronën private. Sepse aty ku qytetari është i lirë të ndërtojë, të jetojë, të zhvillojë biznesin, pushteti humbet kontrollin. Prandaj Rilindja e ka vendosur: të gjithë të varur nga shteti, të gjithë të frikësuar, të gjithë të shantazhueshëm.
Nga legalizimi, te sekuestrimi
Projekti nisi me mashtrimin e madh të legalizimeve. Shqiptarëve u premtuan certifikata pronësie, por në vend të tyre, morën sorrollatje, taksa pa fund, dhe në shumë raste, sekuestrim të pronës me VKM të dyshimta. Zonat turistike, bregdeti, tokat bujqësore dhe çdo truall që ka vlerë, janë shënjestruar për t’u marrë nëpërmjet një mekanizmi të rafinuar ligjor që simulon të drejtën, por zbatohet si plaçkë lufte.
“Projekte zhvillimi” që zhvillojnë vetëm xhepat e oligarkëve
Mos gaboni: nuk është se prona i kthehet popullit, përkundrazi – pas çdo shtetëzimi, vjen një vendim qeverie që e kalon atë te ndonjë kompani e re me emër të panjohur, por me lidhje të njohura. Skemat janë të përsëritura: koncesione 99-vjeçare, PPP pa garë, shpronësime pa kompensim real, e mbi të gjitha kërcënim i drejtpërdrejtë për pronarët që guxojnë të ankohen.
Shtetëzimi i heshtur: si po grabitet Shqipëria pas 30 vitesh tranzicion
Kjo nuk është thjesht hajni – është projekt shkatërrimi kombëtar. Ajo që dikur ishte ëndrra e demokracisë – që qytetari të ishte pronar, i lirë dhe dinjitoz – tani është kthyer në një makth. Rilindja po shtetëzon gjithçka, jo për interes publik, por për të ndërtuar një diktaturë të shekullit 21, ku vetëm një rreth i vogël sundues kontrollon tokën, paranë dhe drejtësinë.
Shqiptarët po përjashtohen nga Shqipëria. Pronat e tyre po kthehen në instrumente presioni. Sot të ndalojnë të ndërtosh, nesër të të marrin tokën, pasnesër të të përzënë.
Në një vend ku nuk ka më as siguri juridike, as drejtësi për pronën, liria ka vdekur. Dhe është detyrë e çdo qytetari të mos e lejojë këtë grabitje të heshtur të ndodhë.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
