Kryeministri Rama në hall me amerikanët? Kongresi i SHBA kërkon raport të klasifikuar për narkotrafikun dhe represionin politik në Shqipëri …

Nga Redaksia –Një zhvillim i rëndësishëm në Uashington po tërheq vëmendjen edhe ndaj Shqipërisë. Një amendament i depozituar nga kongresmeni republikan Joe Wilson ka kaluar në Komisionin e Rregullores të Kongresit Amerikan dhe parashikon përgatitjen e një raporti të posaçëm mbi situatën në Shqipëri.

Sipas tekstit të amendamentit, Sekretari Amerikan i Shtetit, në koordinim me Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, duhet që brenda 180 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit të dorëzojë në komisionet përkatëse të Kongresit një raport të klasifikuar që shqyrton shkallën e narkotrafikut në Shqipëri, si edhe rolin e qeverisë shqiptare në lehtësimin e këtij aktiviteti, nëse një rol i tillë konstatohet nga hetimi. Dokumenti kërkon gjithashtu një analizë mbi pretendimet për represion politik.

Në dokumentin e bërë publik thuhet se raporti do të përgatitet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Inteligjencës Kombëtare, duke përdorur informacion të mbledhur nga agjencitë përkatëse të inteligjencës amerikane.

Nëse amendamenti miratohet përfundimisht dhe hyn në fuqi si pjesë e legjislacionit, institucionet amerikane do të kenë gjashtë muaj kohë për të përgatitur raportin dhe për ta paraqitur atë para Kongresit. Një pjesë e raportit pritet të jetë e klasifikuar për shkak të mbrojtjes së burimeve të inteligjencës.

Ky zhvillim vjen në një moment kur qeveria e kryeministrit Edi Rama përballet prej kohësh me akuza për lidhje të mundshme të elementëve kriminalë me strukturat shtetërore, akuza që qeveria i ka mohuar vazhdimisht. Amendamenti kërkon që institucionet amerikane të kryejnë një vlerësim zyrtar dhe t’i raportojnë gjetjet Kongresit.

Procedurat ligjore në SHBA do përfundojnë me miratimin e këtij amendamenti, raporti që do të hartohet ka një rëndësi për mënyrën se si institucionet amerikane vlerësojnë situatën e shtetit ligjor, luftën kundër narkotrafikut dhe zhvillimet politike në Shqipëri gjatë muajve në vijim.

Ndalohet kopjimi sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top