Nga Redi Minga – PatriotikMedia.al
Në këtë tokë të dhunuar e të rraskapitur, shpëtimi nuk do të vijë nga brenda. Ai do të vijë nga ata që janë larguar me dhimbje, por që nuk kanë harruar. Shqipëria nuk do shpëtohet nga shqiptarët e brendshëm, por nga shqiptarët e Mërguar.
Nëse një popull ka pasur ndonjëherë nevojë për një shkundje të fortë kombëtare, ky është rasti i shqiptarëve në Shqipëri. Prej më shumë se tri dekadash, vendi është zhytyr në një batak politik, ku krimi, korrupsioni dhe servilizmi ndaj ndërkombëtarëve kanë ngritur kështjella. Rilindja është vetëm fytyra më e fundit e kësaj farse. Partitë, institucionet, drejtësia, universitetet dhe media janë shndërruar në instrumente të kontrollit mendor dhe manipulimit masiv.
Përballë këtij realiteti, qytetari i zakonshëm shqiptar është shndërruar në një njeri të nënshtruar, i zbutur nga propaganda, i frikësuar nga pushteti dhe i lodhur nga mbijetesa. Ky qytetar nuk reagon më. Ai i pranon zgjedhjet e vjedhura, krimin e organizuar në pushtet, projektet që shkatërrojnë pasuritë natyrore, emigrimin e fëmijëve, zbrazjen e shkollave dhe plakjen e lagjeve. Ai e ka pranuar skllavërinë moderne me një heshtje që flet shumë.
Mërgata – Shpresa e vetme jashtë kufijve
Shqiptarët e Mërguar, përkundrazi, nuk janë robëruar nga ky sistem. Ata e kanë parë dhe përjetuar shtetin funksional, drejtësinë e vërtetë, shoqëritë ku qytetari ka zë dhe dinjitet. Ata nuk janë më peng i propagandës së Edi Ramës, i Ambasadorëve sorosianë, apo i televizorëve të kapur.
Mërgata shqiptare nuk është thjesht një mjet për remitanca. Ajo është energjia e vërtetë transformuese e kombit. Janë mjekë, inxhinierë, juristë, profesorë dhe punëtorë të ndershëm që i kanë mbijetuar çdo lloj vështirësie dhe sërish ruajnë identitetin dhe përkatësinë. Ata nuk kanë humbur shpresën për atdheun, përkundrazi, e ndjejnë si detyrim shpëtimin e tij.
Ja pse nuk do ju vij shpëtimi nga brenda?
Sepse shumica e atyre që janë brenda vendit kanë pranuar status quo-në si fat, janë thyer psikologjikisht dhe shpirtërisht. Ata kanë zgjedhur heshtjen, jo lirinë. Protestat janë zëvendësuar me kafenetë, revolta me memet, ndërsa patriotizmi është bërë fjalë pa substancë. Vota e tyre blihet me thesin e miellit ose me ndonjë vend pune në administratë.
E vetmja mënyrë për ta thyer këtë rreth vicioz është që Mërgata të kthehet në faktor politik, në faktor strategjik, ekonomik dhe diplomatik. Në vend që të përdoret si “lopë për t’u mjelë” në zgjedhje,Mërgata duhet të bëhet udhëheqësja e rezistencës kombëtare, që nuk njeh kufij fizikë, por njeh një ide të madhe: çlirimin e Shqipërisë nga pushtimi i brendshëm politik dhe servilizmi ndërkombëtar.
Mërgata nuk ka nevojë të kthehet fizikisht – ka nevojë të organizohet
Nuk kërkohet kthim masiv në atdhe, por organizim, financim dhe ndërtim i një alternative të pastër politike dhe kulturore. Në epokën e teknologjisë, beteja fitohen nga larg: me informacion, me ndikim, me media, me presion ndërkombëtar, me investim të drejtpërdrejtë në lëvizjet atdhetare dhe anti-globaliste.
Mërgata duhet të krijojë strukturat paralele të së vërtetës, të demaskojë farsën e zgjedhjeve, të nxjerrë në pah lidhjet mafioze të politikës me segmentet globale, të ndërtojnë “think-tank”-e, media të pavarura, grupe monitorimi, dhe mbi të gjitha: të rikthejë shpresën dhe vizionin kombëtar që u është shuar shqiptarëve brenda vendit.
Shqipëria është peng, Mërgata është çelësi
Shqipëria është sot një vend pa sovranitet, ku Ambasada Amerikane përfaqëson më shumë qeverinë e Sorosit sesa vlerat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku SPAK është thjesht një noter i Ramës dhe ku opozita është bërë e padukshme.
Në këtë errësirë, shqiptarët e Mërguar janë drita e vetme reale që mbetet për kombin.
Prandaj, mos prit nga Tirana zgjimin kombëtar. Ai do vijë nga Nju Jorku, Londra, Milano, Gjeneva, Berlini, Athina, Oslo… nga ata që nuk e harrojnë Shqipërinë edhe pse Shqipëria i la në mëshirë të fatit.
Shpëtimi do të vijë nga ata që nuk kanë frikë ta thonë të vërtetën.
Dhe ata nuk janë më në Shqipëri.
Shënim: kush është Redi Minga
Ai është shkrimtar, analist dhe redaktor i Patriotikmedia.com, Patriotikmedia.al si dhe i Stopfakealbania.com. Origjina e tij është nga qyteti i Tiranes, ai u zhvendos në Zvicer për të punuar për një media Zviceriane, sot ai punon për Patriotik Media Albania dhe që atëherë ka vazhduar të punojë në rolin e analistit ku ka bërë shumë analiza dhe editoriale në disa portale Zviceriane, ai ka shkruar gjithashtu edhe për disa portale amerikane.
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, shpërndarja apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.