TIRANË – Kryeqyteti u vesh sot kuqezi, ndërsa mijëra qytetarë, studentë, të rinj, familjarë me fëmijë dhe protestues nga zona të ndryshme të vendit mbushën Sheshin “Dëshmorët e Kombit” në një nga protestat më të mëdha të zhvilluara në vitet e fundit.
Me flamuj kombëtarë në duar dhe pankarta të shumta kundër qeverisë, turma ngriti fuqishëm thirrjet:
Shqipëria e Shqiptarëve – Vdekje tradhtarëve.
Shqipëria nuk është për t’u shitur
Atmosfera në shesh ishte elektrizuese, ndërsa protestuesit shprehën hapur zemërimin dhe pakënaqësinë ndaj politikave të qeverisë së Rilindjes. Mes brohoritjeve dhe thirrjeve për ndryshim, shumë qytetarë kërkuan dorëheqjen e qeverisë dhe ndëshkimin e klasës politike që, sipas tyre, ka dëmtuar interesat kombëtare.
Një nga thirrjet më të forta që jehonte në mes të protestës ishte:
“Duam dorëheqje!”
“Rama në burg, Berisha në burg!”
Protestuesit u bënë gjithashtu thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit që t’i bashkohen qytetarëve në protestë, duke e cilësuar këtë si një betejë për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.
Pankartat e mbajtura nga qytetarët pasqyronin revoltën popullore ndaj korrupsionit, shitjes së pasurive kombëtare dhe varfërimit të shqiptarëve. Në shumë prej tyre shkruhej se vendi nuk mund të vazhdojë të qeveriset kundër interesit kombëtar.
Sipas pjesëmarrësve, kjo është protesta më paqësore dhe njëkohësisht më masive e organizuar ndonjëherë në Tiranë, duke tejkaluar edhe protestat e viteve të mëparshme për nga pjesëmarrja dhe energjia qytetare.
Qytetarët deklaruan se kjo është vetëm fillimi i një reagimi më të madh popullor dhe paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
