Nga Redaksia – Nga “revolucioni digjital” tek dyshimet për një tjetër skemë financiare që rëndon mbi taksat e shqiptarëve. Kryeministri Edi Rama ka prezantuar kompaninë e re “Albanian Digital Solution Sh.A.”, duke e cilësuar atë si një hap të ri në transformimin teknologjik të shtetit shqiptar. Por për shumë qytetarë dhe ekspertë, lind pyetja: a po krijohet një strukturë e re për të mbuluar gjurmët e aferave milionëshe të lidhura me AKSHI-n?
Në fjalimin e tij, Rama deklaroi se “AKSHI është një histori e jashtëzakonshme suksesi”, duke e përshkruar si institucionin që solli mbi 1200 shërbime online dhe më shumë se 3 milionë përdorues në platformën e-Albania. Kryeministri e lidhi suksesin e këtij transformimi edhe me periudhën e pandemisë, duke pretenduar se shërbimet online “shpëtuan shëndetin e shqiptarëve”.
Por ndërsa propaganda qeveritare flet për sukses, opozita dhe kritikët e qeverisë kujtojnë me forcë miliona euro tendera, kontrata sekrete, sisteme të dështuara dhe skandale të shumta që kanë shoqëruar AKSHI-n ndër vite. Sulmet kibernetike, rrjedhjet e të dhënave personale dhe akuzat për abuzime me fondet publike kanë ngritur dyshime serioze mbi mënyrën se si janë menaxhuar paratë e shqiptarëve në emër të “digjitalizimit”.
Tashmë, me krijimin e “Albanian Digital Solution Sh.A.”, shumëkush sheh një lëvizje të re për të transferuar kompetenca, fonde dhe projekte në një strukturë tjetër, larg syrit të publikut dhe kontrollit institucional. Sipas Ramës, kjo kompani lind “si një domosdoshmëri në këtë fazë të re”, për të ndarë udhëheqjen e qeverisjes elektronike dhe nivelin operacional. Por kritikët e interpretojnë këtë si një mekanizëm të ri për të vazhduar të njëjtën skemë financiare me emër tjetër.
Në vend që të japë llogari për akuzat dhe dyshimet që kanë rënduar mbi AKSHI-n, qeveria duket se po hap një kapitull të ri me një kompani të re shtetërore, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të përballen me varfëri, emigrim masiv dhe mungesë transparence.
Në fund, pyetja mbetet e hapur:
A është “Albanian Digital Solution” një projekt modernizimi për Shqipërinë, apo një tjetër laborator i errët për menaxhimin e miliona eurove publike pa kontroll real?
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
