Nga Redi Minga për PatriotikMedia.al
“Më mirë që s’ka opozitë, se kush rrinte e dëgjonte fjalimet nëpër protesta…” – kjo frazë, që mund të tingëllojë si ironi, është në fakt përshkrimi më i saktë i një realiteti të dhimbshëm: Shqipëria sot nuk ka opozitë funksionale. Dhe më tragjike akoma është se ky nuk është faji i Ramës, por faji i atyre që ende pretendojnë se janë opozitë – e në veçanti, i atij që vazhdon të quhet lider historik i saj: Sali Berisha.
Një opozitë e kapur nga vetvetja dhe nga fondacionet e huaja
Është paradoksale dhe absurde që në vitin 2025, Sali Berisha, vazhdon të mbajë në gjirin e tij politik të njëjtët emra që për dekada kanë jetuar me fondet e George Sorosit, njeriun që ai vetë e shpalli si armikun më të madh të sovranitetit shqiptar.
Le të jemi të qartë: nuk mund të pretendosh se je opozitë konservatore, sovraniste apo kombëtare, kur stafin, këshilltarët, dhe figurat “intelektuale” që të rrethojnë i ke të gjitha produkte të “Open Society”. Nuk mund të shpallësh luftë ndaj globalizmit, ndërkohë që përdor strategë dhe ideologë të shkolluar në seminarët e fondacioneve globaliste.
Sot në PD shohim ende figura, të cilët kanë qenë në krye të instituteve dhe programeve të financuara nga Sorosi. Janë po këta që kanë dalë kundër referendumit për familjen, pro vaksinimit, kundër betejave të vërteta për identitetin kombëtar, dhe në mbështetje të agjendave që vetëm shqiptare nuk janë.
Berisha nuk pastron dot shtëpinë e tij
Sali Berisha ka pasur vite kohë për të bërë një spastrim ideologjik të Partisë Demokratike. Në vend të kësaj, ai u kap pas asaj që din më mirë: betejat personale dhe fjalimet e gjata që nuk frymëzojnë më askënd. Në vend që të ndërtonte një opozitë të re, që flet për Shqipërinë reale, që denoncon axhendat anti-shqiptare dhe sjell alternativa konkrete për qytetarët, ai u rrethua me bashkëpunëtorë të vjetër dhe me emra të konsumuar publikisht.
Nga betejë për liri, në organizatë pa zë
Partia Demokratike, nën drejtimin aktual, është shndërruar në një organizatë e heshtur, që kujton lavditë e 1990-s, por nuk thotë asnjë fjalë për dhunën e ligjeve të reja, për agjendën LGBT në shkolla, për tenderat miliardë të qeverisë, për legalizimin e drogës, apo për dorëzimin e territorit në emër të “bashkëpunimit rajonal”.
Kur Berisha flet për sovranitet, ai nuk e thotë asnjëherë se njerëzit që ka përreth janë të njëjtët që për vite me radhë kanë promovuar shkrirjen e kombit në një identitet “multietnik ballkanik”. Ai nuk denoncon asnjëherë emrat konkretë që kanë marrë miliona nga Sorosi në Shqipëri për të shtypur nacionalizmin dhe për të propaganduar një popull shqiptar pa rrënjë dhe pa qëndrim.
Sovranistët e rremë: më të rrezikshëm se rilindasit
Sot, më shumë se Rama, është rrezik opozita false. Sepse një opozitë që shitet si patriotike, por në fakt është infiltruar nga rrjeti globalist, e paralizon shpresën. Më mirë mos të ketë fare opozitë, sesa një opozitë e gënjeshtërt që ia bën gjumin më të qetë regjimit.
Ajo që mungon është një opozitë e pastër, me njerëz që nuk kanë marrë kurrë një grant nga Sorosi, një pagesë nga ambasadat apo një shëtitje diplomatike në emër të “shoqërisë civile”. Mungon një opozitë që flet për vërtetësinë e kombit, për tokat e humbura, për shpopullimin, për trurin që ikën dhe për fëmijët që rriten pa identitet.
Koha për një ndarje përfundimtare
Nëse Sali Berisha dëshiron të ruajë një grimcë dinjiteti nga historia e tij politike, ai duhet t’i ndihmojë shqiptarët duke larguar një herë e mirë gjithë rrjetin sorosian nga PD-ja. Në të kundërt, ai do të mbetet si një karikaturë e vetvetes, që mban fjalime para njerëzve që dikur i luftonte, e sot i ka bërë pjesë të shtëpisë së vet.
Dhe nëse nuk ka opozitë, ndoshta është më mirë. Sepse në heshtje lind revoltë e re, një brez që nuk i ka borxh as Ramës, as Berishës, as Sorosit, por vetëm Shqipërisë.
Shënim: kush është Redi Minga
Ai është shkrimtar, analist dhe redaktor i Patriotikmedia.com, Patriotikmedia.al si dhe i Stopfakealbania.com. Origjina e tij është nga qyteti i Tiranes, ai u zhvendos në Zvicer për të punuar për një media Zviceriane, sot ai punon për Patriotik Media Albania dhe që atëherë ka vazhduar të punojë në rolin e analistit ku ka bërë shumë analiza dhe editoriale në disa portale Zviceriane, ai ka shkruar gjithashtu edhe për disa portale amerikane.
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, shpërndarja apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.