ANALIZA: Nuk i ndryshoj parimet për partinë – bashkimi i qelbësirave nuk është opozitë …

Nga Genc Paçuku

Kur unë mbështesja Partinë Demokratike, Ilir Meta ishte me Ramën.
Kur unë mbështesja Partinë Demokratike, Shpëtim Idrizi ishte me Ramën.
Kur unë mbështesja Partinë Demokratike, Vangjel Dule ishte me Ramën.
Kur unë mbështesja Partinë Demokratike, Fredi Beleri akuzohej për krim ndaj shqiptarëve.

Kur Lulzim Basha përjashtoi Berishën, unë mbështeta Berishën.
Ndërkohë, Gazmend Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Jorida Tabaku, Ervin Salianji, Xhelal Mziu, Flamur Hoxha ishin kundër Berishës dhe dhunonin demokratët.

Kur unë vija nga Londra për të mbështetur Berishën në arrest shtëpie, ata që përmenda më sipër e akuzonin Berishën dhe Flamur Nokën me akuza të rënda dhe takoheshin shpesh me ambasadoren Yuri Kim për ta larguar Berishën nga politika.

Sot, Ilir Meta, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule, Mesila Doda, Fredi Beleri, Gazmend Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Jorida Tabaku, Ervin Salianji, Xhelal Mziu dhe Flamur Hoxha janë në PD – dhe mua, si shumë të tjerë, na sulmojnë për zërin kritik.

Duket sikur kush të kritikon të ka inat, e kush të rreh e të tradhton të do.

Si të mos jemi kritikë për këtë bashkim qelbësirash?
Dhe ka ende të tjerë që pritet t’i bashkohen PD-së – Adriatik Lapaj është te dera.

Dikush më thotë se kam lëvizur unë gabim.
Por më kujtohet kur, pa shkuar ende në shkollë, mendonim se lëviz Dielli – kur në fakt lëviz Toka.
Nuk kemi lëvizur ne. Kanë lëvizur ata. Por atyre u duket e kundërta.

Në një bisedë me një kritik të ashpër e denoncues të guximshëm të Ramës, kur e pyeta nëse kishte ndonjë kritikë për opozitën, më tha:
“Kam qëndruar në heshtje, megjithëse ka vend për kritika, sepse të sulmojnë duke të quajtur njeri të Ramës.”

E tmerrshme. Këtu kemi arritur.

Unë me Ramën nuk bëhem. Nuk ma lejon ndërgjegjja, origjina, formimi dhe morali. Do të jem opozitë me Ramën.

Por nuk bëhem as me Lapajn, as me Shabanin, as me Belerin, as me Dulen, as me Idrizin, as me Bardhin, as me Tabakun, as me Salianjin, as me Hoxhën e Hasimen, as me Flor Binajn.
Nuk bëhem me askënd që ka qenë apo është quajtur bashkëpunëtor i Ramës.

Nuk do të sakrifikoj kurrë që ata të vijnë në pushtet.
Nuk do të mbështes kurrë një aleancë qelbësirash.

Jetoj me punën dhe djersën time. As nuk ma merrni dot punën, as nuk ma jepni dot ju. Prandaj sulmet janë të kota – nuk më intimidojnë.

Sidomos ata që janë me këdo, por me demokratët jo – nuk më trembin.

Nuk bëhem miop, as shurdh, as memec, as me memorie të shkurtër vetëm sepse dikujt i leverdis.

Churchill ka thënë:
“Nuk i ndryshoj parimet për partinë, por e ndryshoj partinë për parimet.”

Nëse politika është prostitucion, le ta bëjnë prostitutat.
Unë nuk e bëj dot.
Më mirë punoj, djersitem – por parimet nuk i shes.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *