Nga Redi Minga:
Prej 35 vitesh shqiptarët dëgjojnë të njëjtën muzikë politike: premtime të mëdha, slogane të bukura dhe akuza të ndërsjella mes palëve që në thelb kanë ndërtuar të njëjtin sistem. Majtas apo djathtas, zgjedhje pas zgjedhjesh, shpresa është konsumuar gradualisht, deri në pikën ku shumë qytetarë janë bindur se në Shqipëri nuk jetohet më dhe se e vetmja rrugë është largimi.
Kjo narrativë e ndërtuar ndër vite nuk është rastësi. Ajo ka shërbyer për të mbajtur një popull të lodhur, të përçarë dhe pa besim tek vetja. Ndërkohë që vendi është përballur me shpopullim masiv, me krizë identiteti dhe me varësi të thelluar nga faktorë të jashtëm, establishmenti politik ka vazhduar ciklin e vet të rotacionit pa ndryshuar thelbin e sistemit.
Sot rrjetet sociale janë kthyer në një teatër fjalësh boshe. Çdo ditë dalin “analistë”, “liderë”, “lëvizje të reja” me emra të bukur, por pa rrënjë në popull dhe pa strukturë reale. Disa kërkojnë qeveri teknike, të tjerë premtojnë revolucion moral, ndërsa të tjerë krijojnë parti që mezi mbledhin një grusht mbështetësish. Zhurma është e madhe, por alternativa reale mungon.
Shqipëria nuk ka nevojë për slogane të reja, por për një vizion të ri. Nuk ka nevojë për përçarje të reja, por për bashkim rreth parimeve themelore: kombi, familja, sovraniteti dhe dinjiteti. Ajo që mungon sot është një elitë e vërtetë konservatore, e pakapur nga interesat e vjetra, e papërlyer nga pazaret e tranzicionit dhe e vendosur për të mbrojtur interesin kombëtar mbi çdo axhendë tjetër.
Figura të vjetra të politikës shqiptare kanë pasur dekada për të provuar veten. Sot debati nuk është më kush është më pak fajtor për gjendjen aktuale, por kush ofron një rrugë reale daljeje nga kriza e thellë morale, demografike dhe institucionale. Shqipëria nuk mund të mbështetet te shpëtimtarë të jashtëm. As Amerika, as Europa dhe as institucionet e krijuara nga ky sistem nuk do ta zgjidhin problemin nëse mungon vullneti i brendshëm kombëtar.
Nëse nervi i patriotizmit është zbehur, kjo ka ndodhur sepse për vite me radhë ai është goditur nga propaganda, nga zhgënjimi dhe nga frika. Shpopullimi nuk është vetëm fenomen ekonomik; është pasojë e humbjes së besimit se ky vend mund të ndryshojë.
Prandaj thirrja sot nuk është për të ndjekur zërat më të lartë në YouTube apo për t’u rreshtuar pas çdo projekti të ri politik Sorosian që shfaqet. Thirrja është për vetëdije dhe organizim serioz. Për krijimin e një elite me integritet, me formim, me kurajo dhe me rrënjë në interesin kombëtar. Një elitë konservatore që nuk kërkon lavdi personale, por ringritjen e shtetit dhe të shoqërisë.
Shqipëria nuk është e destinuar të zbrazet. Nuk është e destinuar të mbetet peng i tranzicionit të pafund. Por ndryshimi nuk vjen nga retorika, as nga pritja pasive e ndihmës së huaj. Ai vjen nga organizimi, nga bashkimi dhe nga rikthimi i besimit se ky vend është i yni dhe përgjegjësia për ta shpëtuar është po ashtu e jona.
Është koha për reflektim të thellë kombëtar. Është koha për të ndërtuar, jo vetëm për të denoncuar. Sepse nëse vazhdojmë të grindemi mes nesh dhe të presim shpëtim nga jashtë, rrezikojmë që të humbasim atë që ende na ka mbetur: shpresën për një Shqipëri të fortë, sovrane dhe të bashkuar.
