Provokim i rëndë grek: Athina teston kufijtë e Shqipërisë – heshtje kriminale nga Tirana zyrtare …

Nga Redaksia:

Kur PatriotikMedia.al paralajmëroi për këtë vendim dhe pasojat e tij, disa u hodhën përpjetë duke e etiketuar si shpifje apo alarmizëm. Sot, faktet janë kokëforta dhe flasin vetë. Në një postim të publikuar në rrjetin social X, Ministri i Mbrojtjes së Greqisë dhe ish-Ministër i Jashtëm, Nikos Dendias, kujtoi 5-vjetorin e vendimit të Parlamentit grek për zgjerimin e detit territorial nga 6 në 12 milje detare.

Postimi shoqërohej me një hartë provokuese, e cila jo vetëm paraqet kufirin e jashtëm të detit territorial grek, por vizaton edhe kufirin detar midis Shqipërisë dhe Greqisë – një kufi që juridikisht nuk ekziston dhe që nuk është përcaktuar kurrë me marrëveshje ndërmjet dy shteteve.

Pra qeveria greke e njoftoi zyrtarisht zgjerimin e kufijve të saj detarë me rreth 10 për qind në Detin Jon, një hapësirë që për më shumë se 100 vite i ka përkasur Shqipërisë. Ky vendim u bë publik nga Athina pa asnjë reagim nga institucionet shqiptare, duke ngritur dyshime serioze për një marrëveshje të heshtur ose për një nënshtrim të qëllimshëm diplomatik.

Shkelje e hapur e së drejtës ndërkombëtare

Sipas UNCLOS 1982, kufijtë detarë midis dy shteteve nuk caktohen njëanshmërisht, por vetëm me marrëveshje ose vendim gjykate ndërkombëtare. Shqipëria dhe Greqia nuk kanë asnjë marrëveshje për:

  • detin territorial,
  • shelfin kontinental,
  • zonën ekonomike ekskluzive.

Në praktikën ndërkombëtare, në mungesë marrëveshjeje, nuk hidhen vija kufitare në harta zyrtare, pikërisht për të shmangur përshkallëzimin e konflikteve. Ajo që ka bërë Dendias është një akt politik i qëllimshëm dhe juridikisht i pajustifikueshëm.

Provokim për të testuar nënshtrimin shqiptar

Harta e publikuar nga Dendias nuk është rastësi. Është:

  • provokim i drejtpërdrejtë ndaj Shqipërisë;
  • test për reagimin (ose mosreagimin) e institucioneve shqiptare;
  • mesazh force për politikën e brendshme greke.

Dhe përgjigjja nga Tirana? Heshtje totale.

Një heshtje që nuk ka lidhje me diplomacinë e matur, por me inferioritetin politik dhe frikën nga Athina.

Një model i përsëritur dorëzimi

Kjo sjellje nuk është e re:

  • 2015: Anije kërkimi greke hynë në zonën detare të kontestuar – Shqipëria reagoi me notë proteste.
  • 2022: Anije greke hynë edhe në Zonën Ekonomike Ekskluzive të Shqipërisë – Ministria e Jashtme jo vetëm që nuk reagoi, por mohoi faktet.
  • 2023: Greqia depozitoi në BE një hartë detare provokuese – sërish asnjë reagim.

Sot, nën drejtimin e Elisa Spiropalit, Ministria e Jashtme duket më e dobët se kurrë.

Më poshtë mund të lexoni:

Marrëveshja e 20 tetorit 2020: burimi i bllokimit

Më 20 tetor 2020, Kryeministri Rama arriti një marrëveshje politike me Dendias për ta çuar çështjen e detit në Gjykatën e Hagës. Një marrëveshje që, sipas shumë ekspertëve, dëmton interesat e Shqipërisë.

E kapur mes:

  • presionit grek për procesin e integrimit në BE,
  • dhe pamundësisë për të zbatuar marrëveshjen e 2020-s,

Ministria e Jashtme sot nuk guxon të reagojë. Sepse çdo reagim do të nxirrte në pah kontradiktat dhe lëshimet e bëra ndër vite.

Heshtja është bashkëfajësi

Mosreagimi ndaj këtij provokimi nuk është neutralitet diplomatik. Është pranim i heshtur. Është sinjal dobësie. Është dështim për të mbrojtur sovranitetin kombëtar.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka një detyrë kushtetuese: të mbrojë interesat e vendit, jo të fshihet sa herë Athina provokon.

Dhe sot, përballë një shkeljeje të hapur, ajo ka zgjedhur rrugën më të lehtë: heshtjen.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *