ANALIZA: Orteku i pakontrolluar që tmerron Politikën si Majtas dhe Djathtas …

Nga Redi Minga:

Pse qelbësirat e politikës majtas dhe djathtas kanë frikë nga një shpërthim i pakontrolluar popullor

Protesta e fundit nuk trembi vetëm qelbësirat e Rilindjes. Ajo i tronditi të gjithë, pa përjashtim: majtas, djathtas, “të rinj e Rilindjes”, gjoja “alternativë”, analistët, deputetët dhe media të kapura. Sepse ajo që u pa në rrugë nuk ishte protestë e komanduar, por një potencial ORTEKU, që nëse nis, nuk pyet për parti, për skenarë dhe as për pazare.

Kjo është arsyeja pse të gjithë u bashkuan në një pikë të vetme: ta frikësojnë popullin dhe ta kriminalizojnë zemërimin.

Ndryshe nga narrativa e mediave propagandistike, protesta nuk dështoi. Përkundrazi, ajo nxori në pah frikën reale të atyre që e ndjejnë se kontrolli mbi turmat po u rrëshqet nga duart.

Kush u tremb i pari?

I pari që e ndjeu efektin e protestës ishte vetë Sali Berisha, jo si individ, por si simbol i një modeli proteste të konsumuar: protesta 2-orëshe, fjalime të ricikluara, dhe më pas shpërndarje e turmës pa asnjë strategji përballjeje reale me pushtetin.

Por bashkë me Berishën u ekspozuan edhe klyshët e mediave propagandistike dhe politikanët satelitë si Shehaj, Qori, Lapaj & Co.

Por nuk ngelet pas dhe Edi Rama të cilin e kishte kapur paniku i pastër i pushtetit

Rama në rrjetin X shkruan se protesta ishte një akt paniku, jo qëndrim shtetari. Rama e etiketoi protestën si “dhunë të organizuar”, “të papranueshme në Europë”, duke folur për anarkistë, ekstremistë dhe vandalë.

Por harron Rama se kjo është hipokrizi kriminale.

Po protesta e 21 Janarit që e solli Ramën në pushtet, çfarë ishte?
Aty nuk kishte vandalizëm?
Nuk u dogjën makina?
Nuk u plagosën policë?
Nuk fluturonin gurë dhe molotovë?

Po gishti yt, shoku Rilindas, që urdhëronte “PËRPARA”, ishte europian?
Apo dhuna quhet e ligjshme vetëm kur të shërben ty?

Dhe sot ke frikë, sepse e di që populli nuk po del më për teatër politik.

Loja e pistë: protestë e kontrolluar, zemërim i neutralizuar

Ajo që pak e thanë hapur është kjo:
elitat politike i tremben jo protestës, por ORTEKUT.

Ata nuk kanë frikë nga turma që mblidhet për 2 orë, dëgjon fjalime dhe shpërndahet. Ata kanë frikë nga momenti kur protesta del nga skenari, kur njerëzit nuk pyesin më “çfarë thotë kryetari” dhe nuk presin sinjal nga askush.

Prandaj:

  • Rama e quan “dhunë”
  • Berisha e mbyll protestën me orar
  • Deputetët bëjnë “show” me policinë
  • Mediat flasin për “imazh”, jo për shkakun

Show i mbrëmshëm: teatër për të frikësuar shqiptarët

Ajo që u pa mbrëmë mes disa deputetëve dhe policisë nuk ishte përballje reale, por skenë e kontrolluar. Një mesazh i koduar për shqiptarët:

“Ja, ne po luftojmë Rilindjen… por deri këtu.”

Një teatër i ulët për të dhënë idenë e konfliktit, ndërkohë që në realitet të gjithë kanë frikë nga një përplasje e vërtetë. Sepse e dinë shumë mirë se kur popullit i ka vajtur thika në palcë, ai nuk ndalet më nga thirrjet për qetësi, as nga thirrjet për shpërndarje.

Majtas, djathtas – i njëjti frikacëri

Qelbësirat e politikës, si majtas ashtu edhe djathtas, kanë një gjë të përbashkët:
frikën se mos humbasin kontrollin.

Ata nuk duan drejtësi.
Nuk duan përmbysje të sistemit.
Nuk duan llogaridhënie.

Ata duan protesta të menaxhueshme, që të shfryjnë zemërimin pa e rrëzuar sistemin.

Por këtë herë diçka ka ndryshuar.

Populli nuk llogarit më

Zemërimi që po zien nuk është i komanduar, nuk është partiak dhe nuk ka frikë nga etiketa “vandal”. Është zemërim i një populli të varfëruar, të poshtëruar dhe të tradhtuar nga të gjithë.

Dhe ky është makthi i vërtetë i Ramës, i Berishës dhe i gjithë satelitëve të tyre:

një ortek që nuk ndalet, nuk negociohet dhe nuk kontrollohet.

Sepse historikisht, qeveritë rrëzohen kur humbasin legjitimitetin shoqëror dhe politik, jo kur ballafaqohen me skena lufte që i fuqizojnë në retorikën e tyre të kontrollit. Zemërimi i qytetarëve duhet të kthehet në fuqi institucionale dhe presion të qëndrueshëm, që i vendos ata përballë të drejtës dhe përgjegjësisë.

Në këtë mënyrë, protestat nuk do të jenë vetëm shfaqje simbolike, por do të bëhen instrument real i ndryshimit, duke e detyruar qeverinë e korruptuar të përgjigjet dhe të humbasë legjitimitetin në sytë e popullit.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *