Nga Redaksia:
Ambiciet e Presidentit amerikan Donald Trump për Arktikun po rrezikojnë stabilitetin e NATO-s dhe po vendosin Europën përpara një dileme të jashtëzakonshme. Në një seri deklaratash që kanë shqetësuar qeveritë europiane, Trump nuk e fshehu synimin për të marrë kontrollin e Groenlandës, duke thyer një tabu diplomatike dhe duke paralajmëruar se pa SHBA-të, aleanca ushtarake nuk ka peshë.
“Rusia nuk shqetësohet për NATO-n, përveç për ne. As Kina,” deklaroi Trump, duke theksuar se Europa duhet të “rregullohet” nëse SHBA-të nuk marrin Groenlandën. Ai paralajmëroi gjithashtu: “Nëse nuk e marrim ne, do ta marrin Rusia ose Kina, dhe unë nuk do ta lejoj këtë.”
Presidenti amerikan përdori edhe një ton tallës ndaj bashkëbiseduesve të tij, duke përmendur në mënyrë ironike mbrojtjen e ishullit: “Mbrojtja e tyre përbëhet nga dy slita tërhequr nga qen.”
Deklaratat e tij kanë shqetësuar qeverinë e Groenlandës dhe Europën. Qeveria e Nuuk-ut, që gëzon autonomi nga Kopenhaga, thekson se nuk mund të pranojë një kontroll amerikan dhe kujton se ishulli është pjesë e Danimarkës dhe NATO-s. “Mbrojtja e Groenlandës duhet të bëhet përmes NATO-s, nga të gjitha shtetet anëtare, përfshirë SHBA-të,” thuhet në deklaratë.

Edhe Shtëpia e Bardhë duket se mbështet konceptin e mbrojtjes kolektive. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u përpoq për ndërmjetësim, duke theksuar se të gjithë aleatët bien dakord mbi rëndësinë strategjike të Arktikut dhe nevojën për siguri, veçanërisht me hapjen e rrugëve detare, ku Rusia dhe Kina mund të jenë më aktive.
Komisioneri i BE-së për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, paralajmëroi se një pushtim i mundshëm amerikan i Groenlandës do të mund të shënonte “fundin e NATO-s”.
Një ton më ekuilibrues vijon kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili tha: Ndajmë shqetësimet amerikane për nevojën që kjo pjesë e Danimarkës të mbrohet më mirë. Duam ta përmirësojmë situatën së bashku dhe supozojmë se edhe amerikanët do të marrin pjesë.

Në ditët në vijim pritet të zhvillohen bisedime formale me administratën amerikane, ndërsa vendet europiane po vlerësojnë mundësinë e dislokimit të forcave ushtarake në rajon. Britania e Madhe kishte sugjeruar një zgjidhje të tillë më parë, por për momentin nuk ka vendime konkrete.
Arktiku është shndërruar në një pikë kyçe të përballjes gjeopolitike. Kina, përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, paralajmëroi SHBA-të që të mos përdorin vende të tjera si pretekst për interesat e tyre: “Aktivitetet e Kinës në Arktik janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare,” theksoi ajo.
Me këtë sfond, ambiciet amerikane për Groenlandën nuk janë thjesht një çështje territoriale, por një test i madh për unitetin dhe forcën e NATO-s, si dhe një paralajmërim për Europën se pa SHBA, aleanca mbetet e dobët.
