Ambasada Amerikane lavdëron hetuesin e SPAK, Eduart Kaloshi: Trajnimi në FBI forcon luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
Nga Redaksia:
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me diplomimin e hetuesit të BKH-së, Eduart Kaloshi, në Akademinë Kombëtare të FBI-së. Sipas Ambasada, ky hap përforcon bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në reagim theksohet se Kaloshi do të sjellë ekspertizë të re dhe të vlefshme në përpjekjet e SPAK për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri.
“Çuarja përpara e bashkëpunimit në zbatimin e ligjit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë fillon me ofrimin e mundësive të trajnimeve të nivelit më të lartë për oficerët më të përkushtuar të Shqipërisë. Ne përgëzojmë hetuesin e SPAK/BKH, Eduart Kaloshi, për diplomimin e tij këtë muaj në Akademinë Kombëtare të FBI-së.
Eduarti i bashkohet grupit të shquar të ish-studentëve ndërkombëtarë të FBI-së, duke sjellë aftësi dhe ekspertizë të re e të vlefshme në përpjekjet e vendosura të SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Arritjet e tij do të forcojnë më tej bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me SPAK dhe do të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për Shqipërinë dhe qytetarët e saj”, shkruan Ambasada Amerikane.
Ky lajm tregon një forcim të lidhjeve operative dhe profesionale mes strukturave të drejtësisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke rritur pritshmëritë për efikasitet më të madh të SPAK në goditjen e korrupsionit të nivelit të lartë.