ANALIZA: Kur shteti Rilindjes shpall të pazëvendësueshme në zëvendëse …

Nga Redi Minga:

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres Belinda Balluku nuk është thjesht i diskutueshëm. Është një akt që shtrembëron Kushtetutën, shpërfill precedentët dhe prodhon një absurditet institucional që nuk mund të kalojë pa reagim publik.

Sipas shumicës së gjyqtarëve, pezullimi i saj rrezikon interesat shtetërore dhe ushtrimin e kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv. Me një fjali të vetme, shteti shqiptar shpallet i brishtë deri në atë pikë sa nuk i mbijeton dot mungesës së një individi të vetëm – ironikisht jo Kryeministrit, por zëvendëses së tij.

Këtu nis absurdi kushtetues. Neni 102 i Kushtetutës parashikon qartë zëvendësimin dhe funksionimin kolegjial të Këshillit të Ministrave. Por me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese vendosi të rishkruajë praktikisht Kushtetutën: Kryeministri është funksion, ndërsa zëvendëskryeministrja është “fat”. I zëvendësueshëm njëri, e pazëvendësueshme tjetra.

Ky arsyetim bie ndesh drejtpërdrejt me nenin 7 të Kushtetutës për ndarjen dhe balancimin e pushteteve. Një gjykatë që merr përsipër të garantojë stabilitetin politik të një individi nuk balancon pushtetet – ajo mbivendoset mbi ligjin për të ruajtur komoditetin e ekzekutivit.

Po aq flagrante është shkelja e nenit 4 për barazinë para ligjit. Mesazhi është i qartë: jo të gjithë janë të barabartë. Disa mund të pezullohen. Disa të tjerë shpallen “interes shtetëror”.

Si nisi loja e Ballukut

Loja nisi me kërkesën e SPAK për autorizim arrestimi dhe pezullim nga detyra. Një veprim që në çdo shtet normal do të ndiqej nga një proces i qetë institucional. Por në Shqipëri, mekanizmi reagoi ndryshe.

SPAK foli me gjuhë procedurale. BKH u shfaq në aksion. Por sapo çështja preku majën e pushtetit, nisi frenimi. Dhe në vend të drejtësisë, skena u mbush me deklarata politike.

SPAK në pritje, Rama në derdellisje

Ndërsa SPAK zgjodhi të heshtë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri Edi Rama shpërtheu në rrjete sociale me një reagim që më shumë i ngjante një monologu nervoz, sesa një qëndrimi institucional. Arrestet pa gjyq, paraburgimet, standardet europiane – një listë justifikimesh që kulmuan me atë që në zhargonin publik tashmë quhet “Kërçellim në Gjykatën Kushtetuese”.

Në thelb, mesazhi ishte i thjeshtë: kur drejtësia troket në derën e pushtetit, ajo kthehet në problem. Kur godet më poshtë, shpallet sukses.

Precedenti që rrëzon alibinë

Rasti i vitit 2019, ai i Gent Cakajt, e rrëzon përfundimisht narrativën e sotme. Atëherë kishte konflikt real institucional, përplasje mes Presidencës dhe Kryeministrisë, bllokim të politikës së jashtme. E megjithatë, Kushtetuta prodhoi zgjidhje. Sot, për një zëvendëskryeministre, Gjykata sillet sikur Kushtetuta ka mbetur pa frymë.

Ky nuk është interpretim kreativ. Është selektiv. Nuk është mbrojtje e shtetit. Është personalizim i tij. Dhe kur shteti personalizohet, ligji pushon së qeni normë e përgjithshme dhe kthehet në justifikim për raste të veçanta.

Ky vendim nuk krijon siguri juridike. Krijon precedent frike. Frikë se nesër çdo ministër “kyç” mund të shpallet i paprekshëm. Frikë se ligji do të zbatohet vetëm aty ku nuk prish punë.

Kushtetuta nuk është dekor. Nuk është opinion. Është kontratë. Dhe kjo kontratë është shkelur jo me britma, por me një arsyetim të qetë, teknik dhe thellësisht të rrezikshëm.

Shteti nuk është individ. As zëvendës. As i pazëvendësueshëm. Dhe nëse sot pranojmë këtë absurditet, nesër nuk do të kemi më as ligj, as Kushtetutë – por vetëm justifikime.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *