Drejtuar institucioneve përgjegjëse për memorialin e Hormova
Nga Ilir Dedaj:
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore,
Kjo letër vjen si një shqetësim i thellë qytetar dhe moral në lidhje me mënyrën se si po trajtohet kujtesa historike e 217 viktimave të masakrës së Hormovës, një nga ngjarjet më tragjike në historinë e popullit shqiptar.

Në memorialin përkujtimor të këtyre viktimave është vendosur një pllakë ku shkruhet se masakra ka ndodhur në mars të vitit 1914, ndërkohë që faktet historike dëshmojnë qartë se kjo ngjarje ka ndodhur më 29 prill 1914.

Ky nuk është një gabim i thjeshtë teknik.
Ky është një shtrembërim i kujtesës historike dhe një mungesë respekti ndaj 217 grave, fëmijëve dhe të moshuarve që u masakruan mizorisht.
Në këtë kontekst, kërkojmë publikisht përgjigje për këto çështje:
- Pse nuk është korrigjuar ende data në memorial?
- Pse nuk lejohet vendosja e pllakatës së saktë që ndodhet në magazinat e Tirana?
- Pse memoriali i Hormovës vazhdon të mbetet i papërfunduar?
- Kush mban përgjegjësi për këtë situatë të papranueshme?
Është e papranueshme që në një vend ku është derdhur gjak i pafajshëm të ketë pasaktësi të tilla dhe neglizhencë institucionale. Homazhet dhe fjalimet nuk kanë vlerë nëse nuk shoqërohen me saktësi historike dhe respekt të vërtetë.

I bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë menjëherë për:
- Korrigjimin e gabimit në memorial
- Vendosjen e pllakës së saktë
- Përfundimin dinjitoz të memorialit të Hormovës
Kujtesa historike nuk është pronë e askujt për t’u deformuar.
Ajo është detyrim kombëtar për t’u ruajtur me dinjitet dhe përgjegjësi.
Me respekt,
Ilir Dedaj
