Nga Redaksia:
Vepra penale për propagandën komuniste, me dënim deri në 5 vite burg!
Presidenti çek Petr Pavel firmosi të enjten një ndryshim të rëndësishëm në Kodin Penal të Çekisë, duke e kriminalizuar në mënyrë të qartë promovimin e komunizmit, duke e vendosur ligjërisht në të njëjtin nivel me propagandën naziste.
Sipas kësaj reforme të re ligjore, personat që themelojnë, mbështesin apo përhapin ideologji si nazizmi, komunizmi apo çdo lëvizje tjetër që synon shkatërrimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, ose që nxisin urrejtje për arsye racore, etnike, fetare, kombëtare apo klasore, rrezikojnë deri në pesë vite burg.
Kjo nismë është përkrahur fuqimisht nga institucione historike çeke si Instituti për Studimin e Regjimeve Totalitare, i cili prej vitesh ka kërkuar barazimin ligjor të krimeve të nazizmit dhe komunizmit, pasi të dyja ideologjitë shkaktuan katastrofa të mëdha në historinë e popullit çek.
Megjithatë, liderja e Partisë Komuniste të Bohemisë dhe Moravisë (KSČM), eurodeputetja Kateřina Konečná, e ka akuzuar qeverinë se po përdor ligjin si mjet për “ndjekje ideologjike”. Sipas saj, kjo ligjshmëri e re synon të margjinalizojë të majtën ekstreme dhe të frikësojë zërat kritikë ndaj sistemit aktual.
Partia e saj nuk është aktualisht në Parlamentin e Çekisë, por koalicioni ku ajo bën pjesë, i quajtur “Stačilo” (“Mjaft”), sipas sondazheve të fundit, gjendet në prag të 5%, që është minimumi për t’u rikthyer në Kuvend në zgjedhjet e tetorit.
Në një kohë kur në Shqipëri krimet e komunizmit ende nuk janë ndëshkuar, Çekia po jep një shembull të drejtësisë historike dhe dënimit të çdo ideologjie totalitare që mohon liritë njerëzore./ Burimi: Informe Orwell
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.