Nga Fatmir Merkoçi:
Një “lajm i madh” ka pushtuar mediat: kush do ta marrë mandatin e deputetit — daja apo tezja? A thua ky është halli i shqiptarëve sot!
Dy “internacionalistët” modernë, Shabani dhe Lapaj, u shfaqën me trumbeta e daulle duke deklaruar me bujë: “Ne jemi ndryshe nga politikanët e vjetër.” Dhe në emër të këtij ndryshimi, ndërtuan një koalicion familjar, pasi dukshëm nuk kishin njerëz të besuar jashtë rrethit të tyre të gjakut. I futën të gjithë në listë të mbyllur, të vendosur nga lart-poshtë si në skemë familjare.
Deklaruan me arrogancë se do ishin faktorë në formimin e qeverisë së ardhshme. Por kur erdhën votimet, realiteti i goditi fort: gjithë koalicioni “politik-familjar” prodhoi vetëm një mandat.
Sipas marrëveshjes fillestare, të afërmit do të tërhiqeshin për t’ua lënë mandatin drejtuesve të partive — pra Shabanit dhe Lapajt. Por daja i Shabanit nuk pranoi të dorëhiqej. E kërkoi mandatin për vete.
Kur situata u ndërlikua, në lojë hyri tezja e Lapajt, që ndodhej në listë përpara dajës. Dhe ajo kërkon mandatin.
Tani në media shpërtheu debati grotesk: “Kush do e marrë mandatin — daja apo tezja?” Një situatë njëherazi qesharake dhe tragjike.
Në vend që të përfaqësojnë një politikë të re, Shabani dhe Lapaj treguan se janë të njëjtë si të vjetrit — madje më keq. Të dy kanë qenë në tavolinën e Soros-it. Të dy janë produkt i së majtës globaliste. Dhe tani, me këtë skenë tallëse, dëshmojnë se nuk kanë çfarë t’i sjellin politikës shqiptare përveç një mini-estrade groteske.
Dega shkon te rrënja: këta as e njohin, as e kuptojnë politikën. Të gjithë ata që u mashtruan nga retorika “ndryshe” e shohin sot realitetin: kjo është e njëjta mendësi e vjetër komuniste, vetëm me kostum të ri.
Por pas kësaj farse qëndron edhe një skenar i përgatitur: nëse mandatin e merr daja, atëherë Lapaj mbetet jashtë Kuvendit. Por nëse e merr tezja, ajo dorëhiqet më vonë dhe mandati i kalon nipit — pra Lapajt. Dhe këtë e quajnë “politikë e re”!
Kjo histori është shëmbëlltyra më e qartë e mentalitetit sorrosian që ka kapur brezin e 30-vjeçarëve, një brez që nuk sjell zhvillim, por shkatërrim kombëtar. Ata kërkojnë të bëhen faktorë politikë duke sharë sa më shumë — Berishën, Ramën — për të zënë vend në atë sallë që e quajnë parlament (por është më shumë një skenë cirku).
Kjo nuk është politikë. Kjo është llogari personale, përdorim i familjes si mjet për pushtet, pa asnjë skrupull.
Sot kemi mbetur në pritje të “vendimit madhor”: Daja apo Tezja…? Por pavarësisht se kush e merr mandatin, fituesi i vërtetë është Sorosi, ndërsa humbës është Shqipëria.
Dhe kur në fund ata arrijnë të hyjnë në parlament, do jenë thjesht një patericë më shumë për “Minukun e Koridoreve” — për të mos thënë edhe ndonjë spiun më tepër.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.