VIDEO/Rama ironizon protestuesit: Nuk jap dorëheqjen, do ta çoj Shqipërinë në BE deri në vitin 2027!

Nga Redaksia – Edi Rama sfidon kërkesën për dorëheqje të qytetarëve, studentëve dhe të rinjve që po protestojnë kundër qeverisë. Në konferencën e përbashkët me ambasadoren e Bashkimit Europian, kryeministri deklaroi se dorëheqja e një kryeministri të zgjedhur nuk mund të imponohet nga protestat në rrugë, duke e lidhur qëndrimin e tij në pushtet me objektivin për ta çuar Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE.

Në një kohë kur protestuesit kërkojnë largimin e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare, Rama nuk dha asnjë sinjal se mund të tërhiqet. Përkundrazi, deklaratat e tij u interpretuan si një përgjigje ironizuese ndaj kërkesave që po artikulohen prej ditësh në bulevard.

Mesazhi i kryeministrit ishte i qartë: protestat nuk mund ta detyrojnë të japë dorëheqjen.

Por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte edhe deklarata e tij se nuk ka marrë shënim asnjë ide apo program për Shqipërinë nga protestat. Një qëndrim që ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si kreu i qeverisë po i përgjigjet revoltës qytetare dhe kërkesave të studentëve e të rinjve.

Rama: Nuk largohem pa përfunduar negociatat me BE-në

Për të justifikuar qëndrimin e tij në krye të qeverisë, Edi Rama iu referua procesit të integrimit europian, duke deklaruar se objektivi është mbyllja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027.

Në këtë mënyrë, Rama e vendosi të ardhmen e tij politike në raport me një objektiv të qeverisë, duke lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të largohet përpara përfundimit të këtij procesi.

Por protestuesit nuk po kërkojnë një kalendar të ri integrimi europian. Ata kërkojnë përgjegjësi politike, largimin e kryeministrit dhe ndryshimin e drejtimit të vendit.

A mund të jetë procesi i integrimit europian një argument për të refuzuar kërkesën për dorëheqje, kur një pjesë e qytetarëve kërkon ndryshim të menjëhershëm politik?

Nga kërkesat e protestuesve te pretendimet për Iranin

Gjatë konferencës, Rama u rikthye edhe te pretendimet për përfshirjen e aktorëve të huaj në protestat në Shqipëri, duke përmendur Iranin dhe atë që e cilësoi si ndërhyrje hibride.

Në vend që debati të përqendrohej te arsyet e pakënaqësisë qytetare, kërkesat e studentëve dhe përgjegjësia e qeverisë, kryeministri solli përsëri në vëmendje faktorët e jashtëm.

Kjo deklaratë hap një tjetër debat: përse, sa herë që protestat marrin dimension politik, vëmendja zhvendoset drejt pretendimeve për ndërhyrje të huaja dhe jo drejt kërkesave të protestuesve?

Protestuesit kërkojnë largimin, Rama thotë se do të qëndrojë

Përplasja politike tashmë është e hapur. Nga njëra anë, qytetarët, studentët dhe të rinjtë kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës dhe një qeveri kujdestare. Nga ana tjetër, kryeministri deklaron se nuk do të largohet dhe se prioriteti i tij është përfundimi i negociatave me Bashkimin Europian deri në vitin 2027.

Në vend që të japë një përgjigje politike ndaj kërkesës për largim, Rama u përgjigjet protestuesve se nuk mund ta imponojnë dorëheqjen e tij në rrugë.

Ndërkohë, protesta vijon të mbajë në qendër të vëmendjes pesë kërkesat dhe kërkesën për ndryshim politik.

Rama thotë se do ta çojë Shqipërinë në BE, por protestuesit i kërkojnë fillimisht llogari për qeverisjen dhe largimin e tij nga pushteti.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top