Avokati Goxhaj thërret avokatët dhe ekspertët juridikë në Tiranë: Organizim për mbrojtjen ligjore të protestuesve dhe së drejtës së protestës …
Nga Redaksia – Një grup nismëtar avokatësh, të angazhuar deri më tani në mbrojtjen e protestuesve, ka vendosur të ndërmarrë një hap të ri për koordinimin e rezistencës juridike. Avokati Altin Goxhaj ka publikuar një ftesë publike drejtuar avokatëve, juristëve dhe ekspertëve të së drejtës për t’u bërë pjesë e një takimi pune që do të zhvillohet të premten në Tiranë.
Avokati Altin Goxhaj, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka ftuar të gjithë avokatët dhe ekspertët juridikë që të bashkohen në një organizim të përbashkët për mbrojtjen e protestuesve dhe garantimin e së drejtës kushtetuese për protestë.
Takimi është njoftuar për të premten, më 6 nëntor 2026, në orën 18:00, në Hotel Opera, Tiranë, në sallën e konferencave.
Sipas ftesës së publikuar, qëllimi është hartimi i një plani të përbashkët të rezistencës juridike kundër masave që organizatorët i konsiderojnë antikushtetuese dhe antiligjore, të ndërmarra nga qeveria ndaj protestave dhe protestuesve.
Në fokus të këtij organizimi do të jetë mbrojtja juridike e qytetarëve që janë gjobitur, ndaluar apo proceduar penalisht për pjesëmarrjen në protesta, si dhe koordinimi i ankimeve dhe padive në rrugë administrative, kushtetuese, penale dhe civile.
Një tjetër çështje që pritet të trajtohet është kundërshtimi juridik i regjistrit të posaçëm të protestuesve dhe i masave kufizuese që lidhen me të.
Pesë objektivat e organizimit juridik
Në ftesën e publikuar përcaktohen pesë objektiva kryesore:
- Organizimi i mbrojtjes juridike për protestuesit e gjobitur, të ndaluar dhe të proceduar penalisht, deri më tani dhe në vazhdim.
- Koordinimi i ankimeve administrative dhe padive kushtetuese, administrative, penale dhe civile kundër kufizimeve të reja të së drejtës së tubimit.
- Kundërshtimi juridik i regjistrit të posaçëm të protestuesve dhe masave kufizuese që lidhen me të.
- Hartimi i një strategjie të përbashkët për ankime, padi dhe kërkesa urgjente për pezullimin e masave të kundërshtuara.
- Krijimi i një grupi të koordinuar avokatësh dhe ekspertësh për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të qytetarëve.
Sipas njoftimit, takimi synon të bashkojë profesionistë të së drejtës kushtetuese, administrative dhe penale, duke krijuar një strukturë të koordinuar për ndjekjen e çështjeve ligjore që lidhen me protestuesit.
Në përfundim të ftesës, organizatorët përcjellin edhe mesazhin që qëndron në themel të kësaj nisme:
“E drejta për të protestuar nuk është privilegj që ta jep qeveria, por liri themelore që garantohet nga Kushtetuta!”
Nisma prezantohet si vazhdim i angazhimit të një grupi avokatësh që kanë marrë pjesë në mbrojtjen juridike të protestuesve dhe që tashmë synojnë ta zgjerojnë këtë angazhim përmes një organizimi të përbashkët profesional.
Pjesëmarrja dhe kontributi i çdo avokati, juristi apo eksperti juridik janë të mirëpritura.

© Copyright of PatriotikMedia.al


