9 Aug 2025, Sat

Ku ishte opozita “konservatore” në Ditën e Pavarësisë së SHBA?

Nga Redaksia e PatriotikMedia.al

Në një vend ku patriotizmi shpesh përdoret si makijazh politik dhe retorikë për vota, ndodhin edhe skena që të mbushin zemrën me krenari dhe kokën me pyetje. Më 4 Korrik 2025, një qytetar i thjeshtë, i quajtur Pelumb Pilinçi, u bë simbol i vërtetë i miqësisë shqiptaro-amerikane, duke mbushur Sheshin Skënderbej me flamurin kuqezi dhe atë amerikan, në një nismë spontane, plot dinjitet dhe dashuri për vlerat e lirisë dhe aleancës.

Por ku ishte opozita shqiptare? Ku ishte Partia Demokratike që prej vitesh përpiqet të pozicionohet si parti konservatore dhe pro-amerikane? Pse mungoi në një ditë kaq të rëndësishme për miqësinë me Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që një njeri i vetëm, pa pushtet, pa sponsorë, pa aparat, dëshmoi se atdhetarizmi nuk ka nevojë për karrige, por për shpirt?

Hipokrizia e opozitës me siglën “konservatore”

Sali Berisha dhe grupimi që i sillet rrotull prej vitesh e kanë quajtur veten si mbrojtës të vlerave perëndimore, si bastion i konservatorizmit dhe i partneritetit me SHBA-në. Por në praktikë, veprimet e tyre flasin ndryshe. Mungesa totale e një reagimi institucional, një aktiviteti simbolik, apo edhe një statusi të thjeshtë për 4 Korrikun, është një dëshmi e ftohtë se për këtë opozitë, aleanca me Amerikën është thjesht një slogan për tribunë, jo një angazhim moral dhe politik.

A mos ndoshta, opozita aktuale po përpiqet të luajë me të dyja anët – të jetë anti-globaliste me gojë, por të mos lëndojë “non gratat” dhe interesat e errëta që e mbajnë peng? A mos ndoshta heshtja për 4 Korrikun është një heshtje e qëllimshme, sepse Amerika e 2025 nuk është më ajo e Bidenit që mbyllte sytë ndaj korrupsionit shqiptar, por një Amerikë e rikthyer nën Trumpin, që po i nxjerr karton të kuq Sorosit, Ramës dhe çdo lakeu që i shërben axhendës globale?

Kur qytetari bëhet komb

Pelumb Pilinçi ka nje parti, ka dhe nje zyrë. Por mbi të gjitha ai ka zemër, ka bindje, ka guximin që mungon në shumicën e atyre që pretendojnë të jenë liderë. Me një akt simbolik, ai u bë pasqyrë përballë të gjithë atyre që flasin për Amerikën, por nuk lëvizin as gishtin për ta nderuar.

Në vend që opozita të kishte ngritur një aktivitet për të bashkuar shqiptarët rreth aleancës me SHBA-në, për të dhënë mesazhin e shpresës, forcës dhe kthimit të Amerikës tek vlerat konservatore, ajo preferoi të zhdukej në heshtje, ndoshta për të mos zemëruar ambasadën, ndoshta për të mos kujtuar elektoratit se s’kanë më as ideal dhe as identitet.

Në Shqipërinë e zbrazur nga udhëheqës me integritet, figura si Pelumb Pilinçi na kujtojnë se shpresa nuk është një fjalë boshe. Ai provoi se patriotizmi nuk është monopol i partive, dhe se besnikëria ndaj SHBA-ve nuk matet me pasaporta diplomatike, por me vepra.

Ndërsa opozita heshti, një qytetar foli me flamuj.

Dhe ndoshta, ky është oguri i parë se Shqipëria e re nuk do të ngrihet nga majat e partive të vjetra, por nga rrënjët e popullit të thjeshtë.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *