Ervin Demo, kamerat trupore pas dhunës ndaj protestuesve: Po kërkoni të identifikoni të rinjtë, por kush do të identifikojë policët që ushtruan dhunë?
Nga Redi Minga:
Deklarata e ministrit Ervin Demo për pajisjen e efektivëve të Policisë së Tiranës me kamera trupore ka hapur një tjetër debat mbi përgjegjësinë e uniformave blu dhe mënyrën se si u trajtuan protestat e fundit studentore.
Pasi protestuesit, mes tyre të rinj dhe të mitur 14-vjeçarë, u përballën me gaz lotsjellës dhe plumba gome, ministri del me një urdhër të ri: policët do të pajisen me kamera trupore, me qëllim dokumentimin dhe identifikimin e personave që kryejnë akte dhune.
Por, shoku Demo, lind një pyetje që nuk mund ta shmangni: Kush do të identifikojë efektivët që ushtruan dhunë ndaj protestuesve?
Sipas deklaratës suaj, pamjet e regjistruara do të shërbejnë për të dokumentuar ngjarjet dhe për të identifikuar personat që kryejnë akte dhune. Po për veprimet e efektivëve të policisë, kush do të mbajë përgjegjësi? Po për urdhrat e drejtuesve që komandojnë ndërhyrjet policore, kush do të përgjigjet?

Për ju dhe Ramën, shoku ministër, duket se problemi kryesor është se si të identifikohen protestuesit, por keni harruar një detaj thelbësor: kamerat duhet të dokumentojnë edhe sjelljen e policisë, jo vetëm atë të qytetarëve.
Protestuesit kanë denoncuar përdorimin e forcës, plumbave të gomës dhe ndërhyrjet ndaj të rinjve e të miturve. Këto ngjarje kërkojnë hetim të plotë dhe përgjegjësi individuale për çdo efektiv që ka shkelur ligjin.

Nëse vërtet kërkoni transparencë, atëherë kamerat duhet të regjistrojnë çdo ndërhyrje policore, çdo urdhër dhe çdo veprim të efektivëve. Pamjet duhet të jenë të disponueshme edhe për organet e drejtësisë, jo të përdoren vetëm për të ndërtuar dosje kundër protestuesve.
Dhe një pyetje tjetër për ju, shoku Demo: ku ishin këto masa për transparencë kur të rinjtë përballeshin me uniformat e policisë? Pse nuk dëgjuam të njëjtën vendosmëri për të identifikuar efektivët që akuzohen për ushtrim dhune?

Deklarata juaj se kamerat do të garantojnë që veprimet e policisë të jenë brenda kornizës ligjore tingëllon si një premtim që duhet të provohet me veprime konkrete. Ligjshmëria e policisë nuk garantohet vetëm nga teknologjia, por nga zbatimi i ligjit dhe ndëshkimi i atyre që e shkelin atë.
Ervin Demo, nuk mund ta ktheni përgjegjësinë e institucioneve në një operacion për identifikimin e protestuesve, duke lënë në hije dhunën e denoncuar ndaj qytetarëve.
Ngjarjet e fundit kërkojnë hetim nga organet e drejtësisë për të gjithë zinxhirin komandues, përfshirë drejtuesit dhe shefat që kanë dhënë urdhra për ndërhyrjet policore.

Shqipëria nuk ka nevojë për një polici që shihet si instrument i pushtetit politik. Ka nevojë për një polici që mbron qytetarët, respekton ligjin dhe mban përgjegjësi për çdo veprim të saj.
Shoku Demo, përgjegjësia politike nuk fshihet pas kamerave trupore. Kërkohen përgjigje, hetim i pavarur dhe dorëheqja juaj si ministër, nëse nuk mund të garantoni përgjegjësinë institucionale për atë që ka ndodhur.
© Copyright of PatriotikMedia.al


