Greqia nuk heq dorë nga “Epiri i Veriut”! Presidenti grek rikthen pretendimet historike ndaj jugut të Shqipërisë …
Nga Redaksia – Nga kujtesa e luftës italo-greke te përdorimi i një termi që prek drejtpërdrejt sovranitetin shqiptar. Presidenti grek Konstantinos Tasoulas rikthen në skenë emërtimin “Epiri i Veriut”, duke hapur sërish një debat të vjetër mbi historinë dhe kufijtë e Shqipërisë.
Greqia vazhdon ta mbajë gjallë në diskursin e saj politik dhe historik termin e debatueshëm “Epiri i Veriut”. Këtë herë, ishte vetë presidenti grek, Konstantinos Tasoulas, i cili e riktheu këtë emërtim gjatë një ceremonie përkujtimore në Selanik, me rastin e festës kombëtare të 28 Tetorit.
Duke kujtuar luftën italo-greke të viteve 1940-1941, Tasoulas e cilësoi përparimin e ushtrisë greke në jug të Shqipërisë si “Epika e Epirit të Veriut”.
Por pas këtij formulimi historik qëndron një çështje shumë më e ndjeshme për Shqipërinë: përdorimi i një emërtimi që në traditën nacionaliste greke lidhet me pretendimet territoriale ndaj pjesës jugore të shtetit shqiptar.
Gjatë fushatës ushtarake të vitit 1940-1941, trupat greke kaluan kufirin shqiptar dhe morën nën kontroll qytete si Korça, Gjirokastra, Përmeti, Himara, Delvina dhe Saranda. Ngjarje që sot interpretohen në mënyra të ndryshme nga narrativa historike shqiptare dhe ajo greke.
Deklarata e presidentit grek është përshëndetur edhe nga Shoqata e të Rinjve të Epirit të Veriut, e cila pretendon se popullsia me origjinë greke në këto zona e kishte konsideruar ardhjen e ushtrisë greke si çlirim. Organizata ka kundërshtuar gjithashtu përdorimin e termit “Epika Shqiptare”, duke këmbëngulur në interpretimin e saj të ngjarjeve historike.
Problemi nuk qëndron te përkujtimi i një ngjarjeje historike, por te simbolika dhe domethënia e emërtimit të përdorur nga kreu i shtetit grek.
“Epiri i Veriut” nuk është thjesht një shprehje gjeografike neutrale. Ai është përdorur historikisht në Greqi për t’iu referuar territoreve të jugut të Shqipërisë dhe është lidhur me pretendime politike e territoriale që kanë shoqëruar marrëdhëniet shqiptaro-greke.
Këto territore janë pjesë e Republikës së Shqipërisë, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Prandaj, kur një president grek përdor këtë terminologji në një ceremoni zyrtare, deklarata merr një peshë që shkon përtej kujtesës së Luftës së Dytë Botërore.
A është kjo vetëm kujtesë historike apo vazhdimësi e një narrative politike?
Historia mund të përkujtohet, por sovraniteti i Shqipërisë nuk mund të vihet në diskutim përmes nostalgjive të vjetra politike.
© Copyright of PatriotikMedia.al


