Evanthi Pango ngre alarmin: Granata lotsjellëse e përdorur në protestat në Shqipëri, me mbishkrime izraelite dhe prodhim të dyshuar serb …
Nga Redaksia – Një dëshmi që ngre pikëpyetje mbi pajisjet e përdorura nga policia gjatë protestave dhe origjinën e tyre. Evanthi Pango tregon se granata që e goditi në ballë ishte e zezë dhe kërkon dëshmitarë që mund të ndihmojnë në identifikimin e saj.
Evanthi Pango ka publikuar një reagim lidhur me një lloj granate gazi lotsjellës, e cila, sipas tij, është përdorur gjatë protestave në Shqipëri.

Në postimin e tij, Pango paraqet një fotografi të pajisjes dhe vë në dukje se, nga mbishkrimet që shihen mbi të, bëhet fjalë për një armë izraelite, ndërsa sipas informacioneve që ai disponon, prodhimi i saj mund të jetë bërë në Nish të Serbisë.
Një tjetër element që ai evidenton është mënyra e përdorimit të kësaj granate. Sipas Pangos, ajo qëllohet përmes një arme të tipit Shotgun, siç tregohet edhe në fotografinë e dytë të publikuar prej tij.
Granata që e goditi në ballë ishte e zezë
Pango ndalet veçanërisht te përvoja e tij personale gjatë protestës, duke treguar se granata që e goditi në ballë kishte pikërisht këtë pamje dhe ishte me ngjyrë të zezë.

Ai shprehet se, për shkak të humbjes së ndjenjave pas goditjes, nuk ka mundur të identifikojë personat që ndodheshin pranë tij në atë moment dhe që mund të dëshmojnë për llojin e granatës së përdorur.
Për këtë arsye, Evanthi Pango u bën thirrje të gjithë protestuesve që kanë qenë pranë tij atë ditë dhe që mund të kenë parë ngjarjen, ta kontaktojnë për të ndihmuar në dokumentimin e saj.
Pyetje mbi origjinën dhe përdorimin e pajisjeve në protesta
Dëshmia e Pangos rikthen vëmendjen te pajisjet e përdorura gjatë protestave në Shqipëri, origjina e tyre dhe mënyra se si janë përdorur kundër protestuesve.
Në një situatë ku protestuesit kanë raportuar për plagosje dhe lëndime, identifikimi i mjeteve të përdorura dhe dokumentimi i dëshmive bëhen elementë të rëndësishëm për zbardhjen e ngjarjeve.
Thirrja e Evanthi Pangos: Kush ka qenë pranë tij në momentin e goditjes, të kontaktojë me të.
© Copyright of PatriotikMedia.al


