VIDEO/Shpend Gashi shpërthen ndaj “investigimeve”: Nuk jap llogari se kë takoj! Tallje me Ramën dhe paralajmërim për mediat …
Nga Redaksia – Pedagogu dhe podcastieri i Tru Podcast, Shpend Gashi, ka reaguar ashpër ndaj asaj që i cilëson si shpifje dhe investigime të neveritshme ndaj tij, duke mohuar përfshirjen në organizimin e protestave dhe duke akuzuar disa media dhe gazetarë për standarde të dyfishta.
Në një reagim publik me tone të forta, Gashi sqaron qëndrimin e tij ndaj protestave, kontaktet me qytetarë të ndryshëm dhe arsyet për të cilat, sipas tij, është vënë në shënjestër të asaj që e quan një fushatë denigruese.
“Na janë bërë këto investigimet, neveri fare. Po kur them neveri, neveri!”, shkruan Gashi, duke theksuar se nuk ka folur në mikrofon, përveç një rasti kur, sipas tij, ndërhyri për të shmangur përplasjet mes protestuesve.
Ai shpjegon se thirrja e tij ishte që të mos organizohej asnjë kuvend apo aktivitet tjetër pa dalë nga burgu të rinjtë e arrestuar. Sipas Gashit, qëndrimi i tij i ka kushtuar publikisht, veçanërisht për shkak të respektit që shpreh ndaj uniformës dhe oficerëve që, sipas tij, janë keqtrajtuar nga sistemi.
Nuk jam në asnjë grup WhatsApp-i dhe nuk jam marrë me organizimin e protestave
Shpend Gashi mohon të ketë qenë pjesë e grupeve të organizimit të protestave, duke theksuar se ka ndërhyrë mes grupeve vetëm për të qetësuar gjakrat dhe për të shmangur përplasjet.
Ai ndalet edhe te takimi me Gjin Gjonin gjatë një proteste qytetare, të cilin e cilëson si një marrëdhënie të ndërsjellë respekti dhe burrërie.
“Unë nuk i jap llogari njeriut se kë takoj, vetëm nëse jam i akuzuar penalisht, i jap llogari trupit gjykues”, shprehet Gashi në reagimin e tij.
Për të, takimet me persona të tjerë nuk përbëjnë arsye për t’u gjykuar publikisht, ndërsa kundërshton atë që e konsideron si përpjekje për ta lidhur me zhvillimet e protestave përmes kontakteve personale.
“Krimi im është se kam mbështetur PD-në dhe se Sali Berisha ka ardhur në Tru Podcast”
Një tjetër pjesë e reagimit të Gashit lidhet me mbështetjen e tij të mëparshme për Partinë Demokratike dhe pjesëmarrjen e Sali Berishës në Tru Podcast.
Me ironi, ai shkruan se këto janë konsideruar si “mëkatet” e tij, ndërsa kujton se ka kundërshtuar publikisht Berishën edhe ballë për ballë.
Dhe jam po unë që i kam dalë Berishës kundër, në sy, e publikisht, thekson ai.
Përmes këtij qëndrimi, Gashi kundërshton përpjekjet për ta paraqitur si pjesë të një organizimi të caktuar politik, duke vënë në dukje se qëndrimet e tij publike nuk kanë qenë gjithmonë në një linjë me të njëjtët aktorë politikë.
Sulme ndaj mediave dhe gazetarëve: “Grida me Fevzon janë bërë agjenci marketingu”
Gashi i drejton kritikat edhe ndaj gazetarëve dhe mediave, të cilët i akuzon për standarde të dyfishta dhe për trajtim të pabarabartë të personazheve publike.
“Ndërkaq keni këta kolegët tuaj që vendosin gjoba, zhgarraviten nga fryn era e zarfit dhe ju i bëni njerëzit e vitit!”, shkruan ai.
Në të njëjtin reagim, podcastieri përdor një gjuhë të ashpër ironike ndaj Grida Dumës dhe Blendi Fevziut, duke pretenduar se janë shndërruar në një lloj agjencie marketingu.
Ai shpreh bindjen se vëmendja mediatike duhet të drejtohet te çështjet që kanë rëndësi për publikun dhe jo te sulmet ndaj personave që, sipas tij, janë përzgjedhur si objektiv i investigimeve.
Jo në kurrizin tim dhe të të rinjve që keni futur në investigimet tuaja
Në vijim, Gashi thotë se i kupton interesat që mund të qëndrojnë pas punës së mediave, por kundërshton që, sipas tij, kjo të bëhet në kurriz të tij dhe të të rinjve të tjerë që janë përfshirë në raportimet e kritikuara.
“Ua kuptoj hallin se do hani bukë, por jo në kurrizin tim, apo edhe djemve e vajzave të tjera që i keni më cover të ‘investigimit’ tuaj”, shkruan ai.
Ai e cilëson gjithë situatën si amatore dhe thotë se reagimi i tij është edhe një mundësi për të ironizuar kryeministrin Edi Rama dhe nivelin e raportimeve që kundërshton.
Në fund, Gashi u bën thirrje ndjekësve të bojkotojnë dhe të bllokojnë ata që ai i quan “flursha”, duke paralajmëruar se, sipas tij, do të vijë dita e përballjes dhe se do të kërkojë që mediave përkatëse t’u hiqet licenca.
Reagimi i Shpend Gashit vjen në një klimë të tensionuar politike dhe mediatike, ku protestat, raportimet për organizimin e tyre dhe përplasjet mes figurave publike kanë nxitur debate të forta në opinionin shqiptar.
© Copyright of PatriotikMedia.al


