Siç miratoi aktin normativ, Rama do të miratojë edhe ligjin 21/24 – Bëni gati valixhet para se t’ju thotë “ikni”!

Nga Redaksia – Akti normativ dhe paketa e re ligjore e prezantuar nga Edi Rama për tubimet dhe dhunën urbane hapin një debat të fortë mbi të ardhmen e protestës në Shqipëri. Në një kohë kur qytetarët po kërkojnë ndryshim politik dhe studentët po përfshihen në lëvizjet kundër qeverisë, ekzekutivi po propozon masa të reja që rrisin kompetencat e policisë dhe ashpërsojnë ndëshkimet.

Mesazhi politik që po përcillet është i qartë: protestat do të përballen me rregulla më të forta, kontrolle më të zgjeruara dhe penalitete të rënda financiare.

Akt normativ për tubimet: Kufizime deri në 72 orë, urdhra largimi dhe gjoba deri në 500 mijë lekë

Qeveria ka miratuar me procedurë urgjente një akt normativ me fuqinë e ligjit, i cili ndryshon rregullat për organizimin e tubimeve në Shqipëri.

Vendimi i firmosur nga kryeministri Edi Rama zgjeron kompetencat e Policisë së Shtetit për kufizimin e tubimeve pranë institucioneve, largimin e personave nga zona të caktuara publike dhe ndërhyrjen ndaj përmbajtjeve në rrjetet sociale që konsiderohen thirrje për dhunë.

Perimetër sigurie deri në 72 orë dhe urdhra largimi

Sipas ndryshimeve në ligjin nr. 8773, “Për tubimet”, parashikohen këto masa:

Kufizimi i tubimeve pranë institucioneve: Drejtuesi i policisë vendore, me miratimin e prefektit, mund të ndalojë ose kufizojë tubimet pranë institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore për një periudhë deri në 72 orë, nëse vlerësohet se ekziston rrezik real për dhunë ose dëmtim të pronës.

Urdhër largimi deri në 48 orë: Efektivët e policisë mund të nxjerrin urdhër të shkruar për largimin e personave nga stacionet e transportit, aeroportet, shkollat dhe zonat kulturore, kur ata ushtrojnë presion, kanosje ose pengojnë aksesin.

Policia dhe ndërhyrja në rrjetet sociale

Një nga pikat më të debatueshme të aktit normativ lidhet me komunikimet digjitale dhe dokumentimin e ngjarjeve gjatë protestave.

Mesazhet në rrjetet sociale: Pasi të identifikojë llogari ose numra telefoni që shpërndajnë thirrje për dhunë, Policia e Shtetit mund t’u dërgojë njoftim mbajtësve të tyre, duke u kërkuar fshirjen e menjëhershme të përmbajtjes. Në rast refuzimi, parashikohen masa ligjore.

Regjistrimi audiovizual: Paralajmërimet e policisë për shpërndarjen e tubimit ose për akte dhune do të regjistrohen me pajisjet përkatëse dhe mund të përdoren si prova ligjore.

Gjobat deri në 500 mijë lekë

Paketa e re parashikon sanksione financiare për pjesëmarrësit dhe organizatorët e tubimeve, me gjoba që arrijnë deri në 500 mijë lekë të reja.

Pjesëmarrja në tubim të ndaluar ose mosbindja ndaj urdhrave të policisë: Gjobë nga 10 000 deri në 100 000 lekë të reja.

Mosbindja ndaj urdhrit të policisë nga persona me fytyrën e mbuluar: Gjobë nga 50 000 deri në 500 000 lekë të reja.

Masat e reja parashikojnë një ashpërsim të penaliteteve financiare për shkeljet e përcaktuara nga akti normativ.

Sot akti normativ, nesër ligji 21/24?

Miratimi i masave të reja për tubimet hap një debat mbi drejtimin që po merr politika e qeverisë ndaj protestave dhe kundërshtimit qytetar.

Kur kompetencat e policisë zgjerohen dhe sanksionet financiare bëhen më të rënda, pyetja është se deri ku mund të shkojë kjo paketë dhe cilat do të jenë hapat e ardhshëm të qeverisë.

A do të jetë ligji 21/24 pjesë e një tjetër nisme ligjore? Çfarë ndryshimesh mund të sjellë dhe si do të ndikojnë ato te qytetarët?

Për momentin, mesazhi politik është një paralajmërim për atë që mund të vijë më pas.

Sot akti normativ nesër ligjin 21/24.

“Bëni gati valixhet para se t’ju thotë Rama ikni!” Pas aktit normativ, radha e ligjit 21/24?

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top