Kur të vjedhin të ardhmen dhe të sulmojnë në shtëpinë tënde: Tragjedia e një populli të shpërqendruar …

Nga Paulin Maçaj:

Ajo që po shohim çdo ditë me skandalet e korrupsionit, pastrimin e parave dhe pazarat me pasuritë kombëtare — siç janë projektet në bregdetin tonë me emra të lidhur me pushtetin e biznesin ndërkombëtar — është pasqyra më e qartë e asaj që po jetojmë. Kur përballen me gazetari të vërtetë e me pyetje direkte, propaganda u rrëzohet, ndaj, brenda kufijve tanë, loja bëhet edhe më e egër për të fshehur të vërtetën.

Kjo nuk është më thjesht një krizë apo një dështim i zakonshëm, por një tragjedi kombëtare që po na gërryen palcën e po na shuan si popull çdo ditë e nga pak. Nuk mjafton që kanë vjedhur e kanë vjellë çdo gjë nga pasuritë e këtij vendi, por sot po i sulmojnë qytetarët në çdo vend, po u bëjnë jetën të padurueshme e të mërzitshme në shtëpitë e tyre, duke i çuar drejt dëshpërimit total. Po na detyrojnë të jetojmë në një teatër absurd e të zi, ku e vërteta vritet me paramendim në mes të ditës, ndërsa kombi ushqehet me helmin e radhës për të harruar dritën e diellit.

Tragjedia jonë më e madhe e më e dhimbshme është se, kur shteti shkatërrohet nga themelet, kur milionat e djersës së popullit tjetërsohen pa asnjë fije mëshire nëpër inceneratorë fantazmë, me tenderë sekretë e me rrugë me kosto të dyfishuar, e kur emrat e pushtetarëve dalin në çdo dosje të zezë korrupsioni e krimi të organizuar në SPAK, ekrani vendës nuk ndriçon tmerrin. Në vend të llogaridhënies, ekranet tona mbushen me llum, me video eksplicite të sajuara apo të nxjerra me porosi, e me banalitetin më të ulët që ka njohur kjo tokë.

Më poshtë mund të lexoni:

Kjo industri e shpifur e skandaleve rozë, e sekreteve të dhomave të gjumit e e thashethemeve të sajuara nuk është një dështim i rastësishëm i etikës mediatike. Mjerisht, është një strategji e ftohtë, e egër e ushtarake e shpërqendrimit masiv. Të pafytyrët që po na vjedhin të ardhmen e po na zbrazin shtëpitë — duke i detyruar rinjtë të marrin rrugët e botës — ushqejnë ekranet me turp. E bëjnë sepse e dinë fort mirë se një popull i mbytur në banalitet është një popull i pikëlluar, i frikësuar e i mpirë që nuk proteston dot më. Dhe kjo të thyen zemrën e të mbush me vrer: ata që duhej të ishin zëri i të vërtetës e mbrojtësit e të pafajshmëve — tregtarët e klikimeve dhe servilët e pushtetit — janë kthyer në bashkëpunëtorë pa shpirt të kësaj ploje morale.

Tragjedia bëhet edhe më e thellë, më pikëlluese e më revoltuese kur sheh se si pafytyrësia kthehet në spektakël nate. Satira e shitur dhe emisionet e humorit nuk guxojnë më të godasin hajdutët e shtetit që firmosin grabitjen e pronave e të taksave, por tallen pa mëshirë me qytetarin e lodhur, me nënën e babanë e moshuar që dalin në rrugë me lot ndër sy për pensionin e tyre apo për të drejtat më minimale. Çdo revoltë e jona po kthehet në shaka, çdo dëshpërim ynë në audiencë, dhe çdo skandal i madh që duhej të trondiste themelet e vendit po groposet nën një mal me plehra digjitale.

Më e trishta e më e dhimbshmja nga të gjitha është pafuqia jonë përballë këtij degradimi total. Po na mpihet ndërgjegjja e po na meket shpirti. Po mësohemi me të shëmtuarën, me gënjeshtrën e me vjedhjen, derisa po arrijmë ta pranojmë turpin e pafytyrësinë si diçka normale. Kur gazetaria vdes e kthehet në mjet shpërqendrimi për pushtetin, shoqëria mbetet krejt e vetme, e braktisur, pa mbrojtje, pa zë dhe e dënuar të jetojë nën hijen e atyre që festojnë e kërcejnë mbi rrënojat e së vërtetës sonë.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top