SHISH është kthyer në “Përputhen” made in Rilindja: Hyseni–Agasi, jo thjesht një histori zemrash …
Kjo ngjarje tregoi se SHISH është kthyer në një lloj “Përputhen” made in Rilindja
Nga Redaksia – Në media “rodhën” sot disa komunikime mes ish-shefes së SHISH, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi. Bisedat, të shoqëruara me “shpirt” dhe “zemër”, mbushën portalet dhe rrjetet sociale.
Dhe natyrisht, publiku shqiptar u vu përballë një pyetjeje shumë të rëndësishme: kush i tha kujt “shpirt”?
Por, ndërkohë që portalet merren me “zemrën” dhe “shpirtin”, duket sikur po harrohet ajo që duhet të jetë në qendër të kësaj historie.
Çfarë informacioni i dorëzohej Agasit dhe përse?
Sepse deri tani, nga gjithë kjo “Përputhen” mediatike, nuk ka “rrodhur” ndonjë informacion konkret që të tregojë qartë se çfarë informacioni shtetëror i është dhënë Agasit dhe për çfarë është përdorur.
Po tentohet të ndërtohet një histori ku gjithçka reduktohet tek marrëdhënia personale.
Pra, sipas kësaj logjike, “Vlora i jepte informacione Ergysit sepse e kishte të dashur”.
Kaq?
Nëse kjo është historia, atëherë vërtet kemi kaluar nga SHISH-i tek “Përputhen”.
Por jo.
Nuk është kështu.
Sepse këtu kemi një tjetër seri pyetjesh që janë shumë më të rëndësishme se “shpirti” dhe “zemra”.
Po ish-zyrtarët e Policisë së Shtetit, për çfarë arsyeje i ofronin informacion dhe mbështetje Agasit?
Po strukturat e tjera shtetërore?
Po shefi i Laboratorit të Policisë Shkencore, për çfarë i ofronte informacione lidhur me ekspertimet dhe provat e krimit?
Përse një biznesmen kishte kontakte të tilla me njerëz të institucioneve të sigurisë?
Dhe këtu fillon ajo që publiku ka të drejtë të dijë.
Jo “Përputhen”, por informacioni
Ajo që përbën skandalin shtetëror nuk është nëse Vlora Hyseni dhe Ergys Agasi i thoshin njëri-tjetrit “shpirt”, “zemër” apo ndonjë fjalë tjetër.
Marrëdhënia personale, sado interesante të jetë për portalet dhe rrjetet sociale, nuk është thelbi i çështjes.
Thelbi është:
- Çfarë informacionesh i dorëzonte Vlora Hyseni Ergys Agasit dhe përse ia dorëzonte ato?
Nuk besojmë se informacionet sekrete ishin biseda të tipit:
“Shpirt, nesër do të iki tek KM.”
Apo:
“Zemër, kam hallin tënd.”
Apo:
“Do e hamë keq të dy.”
Këto janë komunikime personale.
Publiku ka interes të dijë nëse pas tyre fshihej diçka tjetër.
- Çfarë informacionesh ofronin strukturat e Policisë?
- Përse i ofroheshin këto informacione Agasit dhe për çfarë i përdorte ai?
- Çfarë përfaqësonte Agasi, që kishte kaq shumë pushtet dhe kontakte, sa njerëz nga SHISH-i dhe strukturat e Policisë të kishin komunikime dhe kontakte me të?
Këto janë pyetjet që nuk duhet të mbulohen nga “shpirti” dhe “zemra”.
Sepse ekziston rreziku që një çështje që prek institucionet e sigurisë së shtetit të shndërrohet në një spektakël mediatik.
Sot publikohet një “zemër”.
Nesër një “shpirt”.
Pasnesër ndonjë foto apo video nga telefoni.
Dhe publiku merret me historinë personale, ndërsa pyetja kryesore mbetet në hije:
Çfarë informacioni qarkullonte mes njerëzve të institucioneve të shtetit dhe Ergys Agasit?
Nëse kjo histori do të trajtohet si një “Përputhen” made in Rilindja, atëherë mund të vazhdojmë të numërojmë “zemrat” dhe “shpirtrat”.
Por nëse flasim për SHISH-in, Policinë e Shtetit dhe informacionet e sigurisë, atëherë çështja është shumë më serioze.
Krimi nuk është marrëdhënia personale e Agasit me zyrtarët e shtetit, sado kompromentuese të duket.
Thelbi është informacioni që shkëmbenin, mënyra se si merrej ai informacion dhe qëllimi për të cilin përdorej.
Sepse SHISH nuk është “Përputhen”.
Dhe sekretet e shtetit nuk janë material për një reality show.
Nëse ka pasur rrjedhje informacioni nga strukturat shtetërore, publiku duhet të dijë kush e dha, kujt iu dha dhe përse.
Kjo është zemra e vërtetë e kësaj historie.
© Copyright of PatriotikMedia.al


