Nga Redaksia – Chris LaCivita, një prej strategëve më të afërt me Donald Trump dhe një prej njerëzve që drejtuan fushatën e tij presidenciale në vitin 2024, është përfshirë në një situatë të re politike që ka shkaktuar reagimin e drejtpërdrejtë të presidentit amerikan.
LaCivita, i cili në vitin 2025 u angazhua nga Partia Demokratike e Sali Berishës për fushatën parlamentare në Shqipëri, është tashmë në qendër të një debati në SHBA për angazhimet e tij jashtë vendit.
Shkak është bërë udhëtimi i tij, së bashku me strategun tjetër republikan James Blair, në Republika Srpska të Bosnjë-Hercegovinës, ku sipas raportimeve kanë këshilluar qeverinë lokale për çështje që lidhen me zgjedhjet. Të dy raportohet se janë paguar për këtë angazhim përmes një firme ligjore në Uashington.
Lajmi ka sjellë një reagim të fortë nga Trump.
Në një deklaratë të publikuar në Truth Social, Trump theksoi se LaCivita dhe Blair janë “konsulentë të jashtëm” dhe tha se do të shqyrtonte nëse ekzistonte ndonjë konflikt interesi.
“Dhe, nëse ka konflikt, do t’i pushoj menjëherë”, ishte mesazhi i Trump.
Por situata nuk përfundoi me shkarkimin e LaCivitës.
Më vonë, duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale, Trump deklaroi se “ata nuk kanë konflikt”. Pra, deri në këtë moment, nuk ka konfirmim se LaCivita është shkarkuar nga Trump. Ajo që është e qartë është se presidenti amerikan është distancuar publikisht nga dy strategët dhe ka vendosur në pikëpyetje angazhimet e tyre të jashtme.
Nga fushata e Trump te fushata e Berishës
Emri i Chris LaCivita është i njohur mirë edhe në Shqipëri.
Në vitin 2025 ai u angazhua nga Partia Demokratike për të drejtuar dhe këshilluar fushatën e opozitës shqiptare. Vetë PD-ja e prezantoi LaCivitën si një prej strategëve kryesorë të fushatës së Trump dhe e përfshiu në përgatitjet për zgjedhjet e 11 majit.
LaCivita u shfaq publikisht në aktivitetet e opozitës dhe u bë një prej figurave amerikane më të pranishme në fushatën e Sali Berishës.
Ai përdori edhe retorikën e fushatës së Trump, duke iu drejtuar strukturave të PD-së me mesazhin “Fight, fight, fight” dhe duke kërkuar mobilizimin maksimal të votuesve deri në mbylljen e kutive.
Në atë periudhë, prania e LaCivitës në Shqipëri u interpretua politikisht si një sinjal i rëndësishëm për lidhjet e opozitës shqiptare me rrethin politik të Trump.
Por sot, pas deklaratës së presidentit amerikan, formulimi “njeriu i Trump” merr një tjetër dimension.
Trump vetë e ka cilësuar LaCivitën si konsulent të jashtëm dhe ka bërë të qartë se nuk ka dijeni për të gjithë klientët e tij të tjerë.
Angazhimi në Shqipëri dhe kostoja politike
Angazhimi i LaCivitës në Shqipëri ishte thjesht biznes.
Sipas një analize të publikuar, shpenzimet e konsulencës amerikane për PD-në gjatë fushatës së vitit 2025 arritën në rreth 137.6 milionë lekë, duke u renditur ndër shpenzimet më të mëdha të fushatës së opozitës.
LaCivita u përfshi drejtpërdrejt në strategjinë e fushatës së PD-së, ndërsa objektivi politik ishte rrëzimi i Edi Ramës dhe rikthimi i opozitës në pushtet.
Rezultati i zgjedhjeve, nuk solli fitoren që kërkonte opozita.
Sot, ndërsa LaCivita përballet me një situatë të sikletshme në SHBA, rikthehet në vëmendje edhe roli i tij në Shqipëri dhe mënyra se si u prezantua para elektoratit shqiptar.
Çfarë po ndodh realisht me LaCivitën?
Thuhet se Trump e ka “flakur” LaCivitën.
Trump e ka vendosur publikisht në pikëpyetje marrëdhënien me të, ka kërkuar të dijë se për kë punon dhe ka deklaruar se do ta largojë menjëherë nëse konstaton konflikt interesi. Më pas, Trump tha se nuk kishte konflikt.
Një prej strategëve që ndihmoi Trumpin të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë tashmë duhet të japë shpjegime për angazhimet e tij jashtë SHBA-së, ndërsa vetë Trump ka zgjedhur të distancohet publikisht prej tij.
Dhe kjo e bën edhe më interesante historinë e LaCivitës në Shqipëri: strategu amerikan që u soll në Tiranë si një prej figurave më të afërta me Trumpin, sot është në qendër të një debati në Uashington për konflikt të mundshëm interesi dhe për marrëdhëniet e tij me aktorë politikë jashtë SHBA-së.
LaCivita nuk është shkarkuar – të paktën jo deri tani. Por për një figurë që u prezantua si një prej njerëzve të Trump, fakti që presidenti amerikan doli publikisht të thotë “nëse ka konflikt, do ta pushoj menjëherë”, është padyshim një goditje politike.
© Copyright of PatriotikMedia.al

