PATRIOTËT letër të hapur trupit diplomatik të BE-së: Mos heshtni për represionin ndaj “Revolucionit Flamingo”

Nga Redaksia – Përplasja politike rreth protestës së “Revolucionit Flamingo” vijon të marrë dimensione të reja, ndërsa pas 96 ditësh protestë paqësore, Partia PATRIOTËT i është drejtuar me një letër të hapur trupit diplomatik të vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë. Në qendër të deklaratës janë arrestimet dhe izolimi i protestuesve dhe organizatorëve të protestës, të cilat partia i konsideron pjesë të një skenari që synon dobësimin e protestës dhe krijimin e kushteve për përshkallëzim.

Nga avokati Altin Goxhaj:

NJOFTIM PËR SHTYP.

Partia PATRIOTËT (Aleanca Konservatore Për Shqipërinë) për Shqipërinë i drejtoi sot një Letër të Hapur Trupit Diplomatik të vendeve të BEsë në Tiranë duke i bërë thirrje që të mos heshtin për represionin qeveritar ndaj protestës paqësore 96 ditore të “Revolucionit Flamingo” sepse qeveria dhe veglat e saj në prokurori dhe gjyqësor, me këto veprime po synojnë destabilizim të vendit si shpëtim nga zemërimi popullor.

Partia PATRIOTËT (Aleanca Konservatore për Shqipërinë) sot i dërgoi një letër të hapur trupit diplomatik në Tiranë të vendeve të BEsë duke denoncuar arrestimin dhe izolimin e 14 protestuesve, mes tyre tre organizatorët kryesorë Dritan Goxhaj, Arben Kola dhe Edison Lika, si pjesë të një skenari qeveritar për t’i “prerë kokën paqësore” protestës 96-ditore. Sipas deklaratës, izolimi i personave që kanë luajtur rol kyç në parandalimin e incidenteve dhe përplasjeve me Policinë dhe veçanërisht Dritan Goxhaj, nuk synon garantimin e rendit, por dobësimin e mekanizmave që kanë ruajtur karakterin paqësor të protestës, duke e bërë atë vulnerabël ndaj provokatorëve dhe grupeve që kërkojnë përshkallëzim. PATRIOTËT akuzojnë Prokurorinë dhe Gjykatën se po veprojnë si instrumente të një drejtësie të kapur politikisht, duke përdorur masat penale për të larguar nga terreni organizatorët paqësorë dhe duke krijuar, sipas tyre, kushtet për dhunë, destabilizim dhe më pas shtypjen e protestës nën pretekstin e rivendosjes së rendit.

Deklarata i drejtohet me tone veçanërisht të ashpra trupit diplomatik të vendeve të BE-së, të cilin PATRIOTËT e akuzojnë për heshtje përballë dhunës policore, burgosjes së protestuesve dhe cenimit të lirisë së tubimit. Partia paralajmëron se indiferenca e diplomatëve europianë ndaj asaj që ajo e cilëson si instrumentalizim të drejtësisë pas Reformës në Drejtësi po minon vetë kredibilitetin e standardeve europiane që BE-ja pretendon të mbrojë në Shqipëri dhe po ushqen euroskepticizmin. Mesazhi i deklaratës ndaj përfaqësuesve europianë është i drejtpërdrejtë: nëse BE-ja kërkon të identifikohet me shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, nuk mund të heshtë kur protestuesit paqësorë burgosen dhe njerëzit që kanë frenuar dhunën izolohen nga drejtimi i protestës.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top